Sibel Vezaj
25 Nëntor 2017•Përditësim: 26 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Gjykata e Apelit ka vendosur që të lirojë nga paraburgimi deputetët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj Bujupi dhe Albulena Haxhiu. Për deputetët Kurti dhe Kadaj-Bujupi kjo gjykatë ka vendosur që masa e paraburgimit të zëvendësohet me arrest shtëpiak, kurse Haxhiu është liruar pa ndonjë masë të caktuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Lajmin për AA e konfirmoi zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari i cili njoftoi se kjo gjykatë ka vendosur që masa e paraburgimit për deputetët Albin Kurti dhe Donika Kadaj Bujupi, të zëvendesohet me atë të arrestit shtëpiak. Kurse deputetja Albulena Haxhiu është liruar pa ndonjë masë të caktuar.
Apeli këtë vendim e ka marrë pas ankesës që ka bërë mbrojtja.
Kujtojmë se dje Policia e Kosovës arrestoi tre deputetët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje (LVV) para Kuvendit të Kosovës, të cilët kishin ardhur për të marrë pjesë në vazhdimin e seancës parlamentare.
Tre deputetët u arrestuan në bazë të urdhrit të gjykatës për shkak të mungesës së tyre në seancën gjyqësore, të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.