Figen Shaban
30 Maj 2017•Përditësim: 30 Maj 2017
PRISHTINË (AA) - Ministria e Drejtësisë (MD) e Republikës së Kosovës bëri promovimin e botimeve të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, ku botimet më të reja të hulumtuesve shkencore të këtij instituti krahas botimit në gjuhën shqipe janë botuar edhe në gjuhën angleze, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë aktivitet u promovuan botimet me tituj si “Trashëgimia e shkatërruar në Kosovë 1998/99" nga Fejaz Drançolli; “Kundër Harresës– Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, nga Fetnete Ramosaj dhe “Plaçkitja dhe Shkatërrimi i Fondit Arkivor të Kosovës nga Serbia, para dhe gjatë luftës 1998-1999” nga Baki Svirca.
Zëvendësministri i Drejtësisë së Kosovës, Munir Basha gjatë fjalimit të tij tha se puna dhe rezultatet e këtij instituti prezantohen me këto tre libra ku me fotografi dhe tekst shfaqen krimet makabre ndaj burrave, grave dhë fëmijëve të Kosovës. Ai po ashtu tha se populli i Kosovës për më shumë se një shekull është munduar për çlirimin ku theksoi veçmas luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të ndihmuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar me të cilën arriti të çlirohet nga okupimi i Serbisë.
Basha duke vënë theksin se qeveria e Kosovës është e ndërgjegjshme për viktimat me qëllim që sakrifica e viktimave të kujtohet dhe të gëzojnë epitetin e merituar tha se me vendim të posaçshëm ka themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në kuadër të MD-së më 15 qershor 2011.
Ai thotë se me qëllim të zbardhjes së krimeve të luftës, qeveria e Kosovës gjithashtu në qershor të vitit 2012 ka themeluar edhe “Grupin punues ndërministror për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin”. Ndërsa ai tha se zbardhja e krimeve gjatë luftës në Kosovës është parakusht për arritjen e pajtimit.
Basha bëri të ditur se MD do të shqyrtojë të gjitha mekanizmat ligjor si civil ashtu edhe penal për të arritur deri te dënimi i atyre që janë fajtor për krime të luftës dhe për të arritur deri të kompensimi i dëmit që i është shkaktuar Kosovës.
“Ministria e Drejtësisë është e vetëdijshme që duhet të rritet angazhimi për dokumentimin në zbardhjen e krimeve të luftës dhe të dëmeve dhe të bëhen përgatitjen e nevojshme për ngritjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid”, tha Basha.
Ndërsa, përfaqësuesi nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Ismet Salihu gjatë prezantimit të tij tha se këto janë botime të rëndësishme sepse mund të informohen edhe gjeneratat e ardhshme se çfarë sakrificash janë bërë për çlirimin e Kosovë.
Ai po ashtu potencoi se gjatë periudhës së luftës në Kosovë nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe janë kryer krime të shumta të planifikuara dhe në mënyrë sistematike. Salihu po ashtu tha se krimet masive dhe barbare që kanë ndodhur në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999 janë krime të cilat nuk kanë ndodhë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Gjatë periudhës së luftës forcat serbe vranë në mënyrë më barbare rreth 12.000 civilë shqiptarë, burra, gra dhe fëmijë dhe djegën e shkatërruan rreth 100 mijë objekte, kryen masakra, vranë dhe masakruan qindra shqiptarë”, tha Salihu.
Ai duke informuar lidhur me punën dhe përbërjen e këtij instituti tha se instituti si një njësi e veçantë në kuadër të MD ka të punësuar 7 persona dhe ka organizuar 10 prezantime dhe ekspozita, dy në Prishtinë, një në Gjakovë, dy në Shqipëri (Tiranë dhe Korçë), tre në Turqi (Ankara, Stamboll dhe Bursa), ndërsa po ashtu ka themeluar edhe arkivën e vet në kushte dhe staf modest.
Salihu tha se instituti është duke bërë punë të mëdha në kushte tejet modeste. Sipas tij, Instituti në të ardhmen duhet të bëjë shumë punë më të mëdha, duhet të hulumtohen vrasjet, varrezat masive, kampet e përqendrimit, plaçkitjet dhe shkatërrimi i pasurive të qytetarëve të kryera nga forcat serbe.