Admir Fazlagikj
24 Janar 2017•Përditësim: 24 Janar 2017
SHKUP (АА) – Prokuroria Speciale Publike (PSP në Maqedoni për ndjekje të veprave penale lidhur me të cilat dalin nga përmbjatja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve bëri të ditur se ka hapur dy procedura hetimore me emrat “Tarifa” dhe “Tanku”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të PSP-së, me urdhër për zbatimin e procedurës hetimore në rastin “Tarifa” janë përfshirë shtatë persona për shkak të ekzistimit të dyshimit themelor për vepër të kryer penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve nga neni 353 paragrafi 5 të Kodit penal”.
“Në rastin konkret ekziston dyshim themelor se është kryer keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimeve të personave zyrtarë dhe përgjegjës në procedurën e furnizimit publik të softuerit – ERP Sistemit për nevojat e SHA ELEM, me ç’rast personat e dyshuar me moskryerjen e pozitës zyrtare mundësuan që personi juridik- konzorcium, i cili më vonë fitoi tenderin, të kualifikohet në fazën e dytë të negocimit gjatë furnizimit publik, ndonëse nuk ka dorëzuar dokumentacion të plotë. Vlera e marrëveshjes së lidhur për furnizim publik është 4.092.420 euro”, qëndron në njoftimin e PSP-së.
Njëherit, thuhet në njoftim, ekziston dyshim themelor se një pjesë e personave të dyshuar në mënyrë të pabazë kanë paguar mjete financiare në emër të liçencave për mirëmbajtje të softuerit, në kundërshtim të kushteve të veçanta nga Marrëveshja e furnizimit publik, ku është paraparë se pagesa në emër të liçencave për mirëmbajtjen e softuerit do të bëhet në periudhën garantuese dhe pas-garantuese, periudhë e cila asnjëherë nuk filloi të rrjedhë, meqë, siç theksohet, sistemi nuk ka qenë i implementuar, me çka shkaktuan dëm në vlerë prej 456.560 euro.
Procedurë hetimore në rastin “Tanku”
Me urdhër për zbatimin e procedurës hetimore në rastin “Tanku” janë përfshirë dy persona për shkak të ekzistimit të dyshimit themelor për vepër të kryer penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit nga neni 353 paragrafi 5 nga Kodi penal, për veprime të kryera në periudhën nga muaji shkurt i vitit 2012 deri në fund të tetorit të vitit 2012”.
“Në rastin konkret ekziston dyshimi se me qëllim të plotësimit të dëshirës së kryeministrit të atëhershëm për furnizim të llojit special të automjetit, e dyshuara e parë, ka inkurajuar të dyshuarin e dytë që të shfrytëzojë detyrën dhe autorizimet e tij dhe gjatë furnizimeve publike, në mënyrë joligjore të favorizojë operator të caktuar ekonomik dhe të furnizohet automjeti i atij llojit”, thuhet në njoftimin e PSP për rastin “Tanku”.
Siç theksohet, njëherit ekziston dyshimi themelor se në kushte të uljes së fuqisë blerëse dhe ekonomike të Ministrisë, është vepruar në kundërshtim me nenin 36 nga Ligji për furnizime publike dhe në dokumentacionin e tenderit ka patur më shumë specifikacione teknike që asocojnë në prodhim konkret me qëllim favorizimin e operatorit të caktuar ekonomik, pa u theksuar se mund të jepen edhe oferta tjera me specifikacione të cilët janë ekuivalente të kushteve të kërkuara në dokumentacionin e tenderit.
“Ekziston dyshimi se i dyshuari i dytë në procedurën për furnizim publik, ndonëse ka qenë i vetëdijshëm se ka privilegjuar në mënyrë joligjore operator të caktuar ekonomik, megjithatë, ka marrë vendim për përzgjedhje të ofertës më të mirë dhe ka nënshkruar marrëveshje për furnizim publik në vlerë prej 29.852.542 denarë dhe TVSH në vlerë prej 5.373.458 denarë ose rreth 572.780 euro”, qëndron në njoftimin e PSP-së.
Prokuroria Speciale Publike deri më tani ka ngritur hetime për rastet “Tortura”, “Titanik”, “Transporter”, “TNT”, “Fortesa”, “Thesari”, “Toplik”, “Tenderë”, ndërsa tani edhe për rastet “Tanku” dhe “Tarifa”.