Saimir Alija
18 Dhjetor 2017•Përditësim: 18 Dhjetor 2017
TIRANË (AA) – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë të kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, ka mbajtur një konferencë për mediat, ku zhvillimet e sotme në protestën e opozitës dhe në seancën parlamentare i konsideroi “një shfaqje të keqe", raporton Anadolu Agency (AA).
“Nuk e di çfarë mund të bëja më shumë për të çelur dialogun me opozitën lidhur me zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm. Zgjedhja e prokurores së përgjithshme me mandat të përkohshëm me vetëm votat tona ishte një zgjedhje plotësisht legjitime, kushtetuese dhe e mbështetur nga ndërkombëtarët, që asistojnë procesin e vështirë të reformës në drejtësi”, tha Rama.
Ai shtoi se kanë dëshiruar një zgjedhje me mirëkuptim dhe me dialog me opozitën.
Rama u shpreh më tej se: “Jemi në një moment të rëndësishëm, presim çeljen e negociatave për anëtarësim dhe ashtu sikundër çdo shfaqje uniteti në funksion të Kushtetutës dhe ligjit është një pikë e fituar, ashtu dhe çdo shfaqje si kjo e sotmja është një pikë e humbur. Opozita zgjodhi rrugën e dëshpëruar të baltës dhe të tymit, ku nuk kurseu as përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, duke thënë se kanë konflikt interesi në këtë çështje. Sot Adriatik Llalla është i pari kryeprokuror në 27-vjet që largohet nga detyra pa asnjë konflikt me shumicën qeverisëse”.
Opozita parlamentare e Shqipërisë, e kryesuar nga Partia Demokratike (PD) ka mbajtur një protestë sot përpara Kuvendit të Shqipërisë kundër zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, ndërsa në protestë ka patur përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Mes tensioneve në seancën e sotme parlamentare, Arta Marku është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, në postin e kryeprokurores së përkohshme.