Bekim Laci
17 Janar 2017•Përditësim: 17 Janar 2017
SHKUP (AA) - Republika e Maqedonisë është kapluar sërish nga reshje të borës të cilat po shkaktojnë vështirësi në trafik, raporton Anadolu Agency (AA).
Lidhja Auto Moto e Maqedonisë (LAMM) njofton se aksi rrugor Gostivar - Kërçovë përmes qafës malore Strazhë nga ora 18:30 e mbrëmjes së kaluar qëndron i mbyllur për qarkullim për automjete të rënda transportuese, ndërsa aksi rrugor Makedonski Brod – Zdunje (fshati) qëndron i mbyllur për çfarëdo lloj qarkullimi, me çka janë prekur 11 fshatra të cilat gravitojnë në atë zonë.
LAMM njofton se komunikacioni në të gjitha rrugët në shtet është duke u zhvilluar me vështirësi, në kushte dimërore, nëpër rrugë të lagështa me mbetje të borës nëpër rrugë si pasojë e intervenimit për pastrim nga ana e ekipeve të "Rrugët e Maqedonisë".
Shoferëve u rekomandohet vozitje jashtëzakonisht e kujdesshme me shpejtësi të përshtatur të lëvizjes si dhe respektim të sinjalizimit të vendosur në rrugë.
Kujdes i veçantë kërkohet gjarë vozitjes nëpër grykat malore ku është e mundur paraqitja më e shpeshtë e rrëshqitjeve të dheut, sidomos në drejtimet rrugore: Koçan – Makedonska Kamenicë - Dellçevë, Vinicë - Berovë, Gostivar - Strazhë, Mavrovë - Dibër - Strugë, Demir Kapi - Udovë, Katllanovë - Veles, Krushevë - Demir Hisar dhe Resnjë - Bukovë.
Më së shumti borë ka rënë në Llazaropole, 71 centimetra, ndërkohë që temperatura më e ulët është regjistruar në Mavrovë, ku në orën shtatë në mëngjes janë matur minus tetë gradë celsius.
Trashësia e borës në Mavrovë është 64 centimetra, 25 në Tetovë, në Krushevë 22 centimetra, 19 në Manastir, në Strumicë 18 centimetra, në Shkup 15 etj. ndërsa më ftohtë është në Mavrovë, ku në ora shtatë të mëngjesit janë matur – 8 gradë, nga ana tjetër në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, moti do të jetë i vrenjtur me reshje të kohëpaskohshme të borës dhe me erë të dobët nga drejtimi jugor. Temperatura do të jetë deri në 2 gradë.
Enti Hidrometeorologjik i Maqedonisë njofton se në ditët në vijim zona e Maqedonisë do të jetë nën ndikim të lëvizjeve të ajrit të lagësht i cili do të vjen nga Mesdheu që do të sjellë mot kryesisht me vranësira dhe relativisht të ftohtë me reshje të borës ndërsa në pjesët juglindore do të ketë shi dhe borë.