Talha Öztürk
23 Nëntor 2016•Përditësim: 23 Nëntor 2016
BEOGRAD (AA) - SHBA-të ua kanë ekstraduar autoriteteve boshnjake Azra Bashiç, një grua 57-vjeçare kroate, e cila akuzohet se ka kryer krime lufte gjatë luftës së viteve të 90-ta, thuhet të martën në deklaratën e Prokurorisë boshnjake, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës, Bashiç iu dorëzua zyrtarëve boshnjakë në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës.
Bashiç akuzohet për vrasjen e civilëve serbë dhe torturimin e shumë të burgosurve të luftës në qytetin verior boshnjak Derventa gjatë luftës së viteve 1992-1995. Ajo ishte larguar nga Bosnjë e Hercegovina (BeH) pas luftës dhe u zhvendos në Kentucky të SHBA-ve.
Autoritetet boshnjake në vitin 2006 lëshuan një urdhër ndërkombëtar për Bashiç dhe kërkuan ekstradimin e saj nga SHBA në vitin 2007.
Autoritetet amerikane e morën Bashiç në paraburgim në vitin 2011. Ajo tani pritet të dalë para gjykatës në BeH.
Qindra mijëra njerëz u vranë gjatë luftës në Bosnjë, me miliona të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre dhe mbi 50.000 gra u përdhunuan.
Lufta 3.5 vjeçare përfundoi me Marrëveshjen e Dejtonit të nënshkruar në dhjetor të vitit 1995 në mes të ish Republikës Federale të Jugosllavisë, Republikës së BeH-së dhe Kroacisë.