Fatjon Cuka
15 Shtator 2017•Përditësim: 16 Shtator 2017
TIRANË (AA) - Shefat e shtabit të ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s kanë vizituar Shqipërinë, në kuadër të takimit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, që mbahet në Tiranë në datat 15-17 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia zyrtare e pritjes për shefat e ushtrive të vendeve të NATO-s është zhvilluar në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku merrnin pjesë edhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.
Turqinë në këtë takim e përfaqëson shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Hulusi Akar, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar në kryeqytetin e Shqipërisë.
Takimi nesër organizohet nën mikpritjen e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollcaku.
Drejtuesit e ushtrive të vendeve të NATO-s do të diskutojnë për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të japin rekomandime për vazhdimësinë e misionit "Resolute Support" në Afganistan dhe KFOR Kosovë.
Gjithashtu pjesë e diskutimeve do të jetë edhe angazhimi i Aleancës në luftën kundër terrorizmit. Gjatë takimit do të zgjidhet kryetari i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili do të marrë detyrën në verën e vitit 2018.
Ndërkohë sot Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, realizuan takime të ndara me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petr Pavel, ku Meta e ka cilësuar takimin që mbahet nesër si ngjarje historike për Shqipërinë dhe një aktivitet shumë të rëndësishëm për Aleancën.
Nesër në ceremoninë e hapjes së takimit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, do të mbajë një fjalë përshëndetëse edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa gjatë ditës do të vazhdojnë sesionet e mbyllura për mediat.