Senada Ibraimova
06 Dhjetor 2016•Përditësim: 07 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Në Shkup sot u mbajt debat me temë “Gratë, viktima të dhunës familjare –potencial të pastrehë” në organizim të Rrjetit të përgjithshëm kundër dhunës mbi gratë dhe dhunës familjare, Asociacionit për hulumtim, komunikim dhe zhvillim “Public" dhe OJQ-së "Njëra mundet”, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtoresha ekzekutive e Asociacionit për hulumtim, komunikim dhe zhvillim “Public”, Klimentina Ilievska deklaroi se një nga grupet më të ndishme që ndeshen me problemin e përjashtimit të së drejtës për strehim dhe pastrehë janë gratë viktima të dhunës familjare.
“Këto gra kanë mundësi që të kujdesen në qendrat e strehimit tre muaj me mundësi për vazhdimin edhe për tre muaj tjerë. Pas kësaj, për shkak të pamundësisë që të përballen me situatën në të cilën kanë hasur mbetet që të kthehet tek dhunuesi”, theksoi ajo.
Sipas saj, kur bëhet fjalë për potencial të pastrehë, gratë që përballen me situata të tilla shpesh herë kthehen tek familjet e tyre, por në këto raste përballen me problemin e familjeve të mbipopulluara.
Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit kombëtar kundër dhunës mbi gratë dhe dhunën familjare, Elena Dimushevska në deklaratën e saj tha se sistemi për mbrojtjen e grave viktima të dhunës familjare po ngec.
Ajo potecoi se braktisja e dhunuesit tërheq çështjen sociale tek gratë, gjegjësisht mospasja e vendbanimit dhe për këtë shkak ky opsion është ose pastrehë ose dhunë.
Sipas saj, shteti nuk ka zhvilluar kurrfarë masash për mbështetje të grave që janë viktima të dhunës familjare dhe të cilat do të vendoseshin në qendra strehimi.
“Do të thotë nuk ekzistojnë masa për punësim, nuk ekzistojnë masa për strehim dhe në thelb gratë viktima të dhunës familjare lihen vetëm”, theksoi Dimushevska dhe apeloi deri te organet shtetërore që të zhvillojnë këto masa të cilat do të ndihmojnë gratë që janë në sotuatë të tillë gjatë tërë procesit, gjegjësisht gjatë braktisjes së dhunuesit, e më pas në procesin e resocializimit.
Sipas Asociacionit për hulumtim, komunikim dhe zhvillim “Public” në Maqedoni çdo grua e tretë është viktimë e dhunës familjare, ndërsa për këtë dukuri ose heshtet, ose viktimat detyrohen vet të luftojnë për të drejtat e tyre.