Ivana Ramadanova
22 Dhjetor 2017•Përditësim: 23 Dhjetor 2017
SHKUP (АА) - Në organizim të Odës Ekonomike të Maqedonisë, në bashkëpunim me lëvizjen Polio Plus kundër handikepit në Shkup u mbajt konferencë e titulluar "Qendra për punësim të personave me hendikep", si nismë për ti mbështetur njerëzit me aftësi të kufizuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Elena Milevska Shtrbevska, drejtor Menaxhues i Odës Ekonomike të Maqedonisë, theksoi se përmes projektit Qendra për punësimin e personave me hendikep, Dhoma e Tregtisë, së bashku me Polio Plus, kanë themeluar një qendër për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, e cila është e vendosur në Odën Ekonomike dhe e cila vitin e kaluar organizoi aktivitete të cilat kanë për qëllim aftësimin e personave me aftësi të kufizuara që të integrohen në proceset e biznesit dhe të mundësojë shkëmbimin e informacioneve dhe njohurive shtesë, përvojës dhe të arsimit, si për personat me aftësi të kufizuara ashtu edhe për kompanitë.
"Në kuadër të këtij projekti përmes Qendrës për Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, kemi organizuar gjashtë punëtori për personat me aftësi të kufizuara edhe tetë trajnime për kompanitë që të informohen në mënyrë gjithëpërfshirëse në lidhje me mundësitë e punësimit për këtë kategori njerëzish, ndërsa për përfshirjen e tyre në proceset e punës janë mbajtur edhe nëntë praktika nga personat me aftësi të kufizuara që të përfshihen direkt për të punuar në kompanitë", tha Shtrbevska.
Sipas drejtoreshës së Agjencisë për punësim, Biljana Jovanovska, agjencia të cilën e drejton, do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante, OJQ-të dhe shoqatat për të mundësuar që njerëzit me aftësi të kufizuara të angazhohen në tregun e punës përmes përfshirjes së tyre, masave aktive, projekteve të punësimit, si dhe në shfrytëzimin e të gjitha mjeteve në të holla nëpërmjet ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
"Në vitin 2017 u punësuan 300 persona përmes projekteve dhe masave aktive të planit operativ dhe Ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, pra 230 persona duke përdorur mjete nga fondi i veçantë dhe 70 persona përmes projekteve të masave aktive të punësimit. Agjencia e punësimit synon të vazhdojë me të gjitha palët e interesuara në procesin e gjetjes së mënyrave dhe zgjidhjeve për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha projektet, masat, trajnimet dhe marjen e shkathtësive, prezantimin e masave aktive të punësimit, për të zvogëluar numrin e papunësisë së tyre dhe për t'u përfshirë në tregun e punës", tha Jovanovska.
Polio Plus thotë se kompanitë nga tregu i hapur i punës janë partner kyç i projektit "Qendra për punësimin e personave me hendikep" dhe vetëm nëpërmjet integrimit të punëkërkuesve aktivë të personave me aftësi të kufizuara në këtë treg, mund të flasim për mundësi të barabarta dhe mos diskriminim në punë dhe proceset e punësimit.
Në Maqedoni numri i të punësuarve me hendikep është shum i vogël në krahasim me popullatën e punësuar. Përmes projektit "Qendra për punësimin e personave me hendikep" do të krijohet një urë në mes personave me hendikep dhe kompanive, me qëllim që të nxirren përfitime për të dyja palët.