Ivana Ramadanova
31 korrik 2017•Përditësim: 31 korrik 2017
SHKUP - Oda Ekonomike e Maqedonisë (OEM) sot mbajti konferencën për mediat në temën "Ndërtimi i kapaciteteve të personave me aftësi të kufizuara për të lehtësuar punësimin e tyre në sektorin privat”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas Jadranka Arizankovska nga OEM, qëllimi i kësaj konference është që të njoftohen institucionet dhe kompanitë me aktivitetet të cilat i zhvillon Qendra për punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe kushtet si dhe programet të cilat ofrohen nga qeveria për mbështetje të kompanive për punësim të sërishëm të personave me aftësi të kufizuara.
OEM bashkë me Polio Plus bashkarisht realizojnë një projekt evropian nga IPA i quajtuar "Qendra për punësimin e personave me aftësi të kufizuara" i cili është pjesë e programit operativ për zhvillim të resurseve njerëzore.
"Projekti në esencë ka mision të dysfishtë. Nga njëra anë t'i përgatisë personat me aftësi të kufizuara me njohuritë e nevojshme dhe shkathtësi, arsimin dhe kualifikim për integrimin e tyre të plotësishëm në shoqëri dhe njëkohësisht mbështetje të kompanive për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në proceset e tyre të punës", tha Arizanovska.
Qendra e sapoformuar, e cila, siç tha Arizanovska, ndodhet në hapësirat e OEM-it, paraqet një zgjidhje inovative e cila ka për qëllim ta avancojë dhe përforcojë punën e personave me aftësi të kufizuara paralelisht duke punuar me institucionet dhe kompanitë nga tregu i hapur me qëllim që të hapen dyert e tyre për përfshirje të tërësishme dhe efektive të këtyre personave në proceset e punës.
Tomisllav Otakovski nga Polio Plus tha se ky sistem ligjor nuk është i përkryer prandaj duhet shumë të punohet që të kontribuohet drejt punësimit të kësaj kategorie të njerëzve.
"Qendra për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, OEM dhe Polio Plus, kanë rol të caktuar këshilldhënës ndaj kompanive nga aspekti i përgatitjes së dokumenteve strategjike të cilat do ta përfshijnë çështjen e personave me aftësi të kufizuar të vet kompanisë jo vetëm si persona të punësuar me aftësi të kufizuara por gjithashtu edhe si grup për ofrimin e shërbimeve të tyre dhe prodhimeve në mënyrën që është e arritshme për personat me aftësi të kufizuara", tha Otakovski.
Deri më tani më shumë persona me invaliditet, më shumë se 2.000 janë angazhuar nëpërmjet organizatave mbrojtëse ndërsa numri në sektorin publik dhe privat është dukshëm më i ulët.
Shteti nga viti 2000 siguron mbështetje financiare për kompanitë në formën e ndihmave të pakthyeshme për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, ndihmë teknike si dhe deri më 200 paga mesatare për sigurimin e pajisjeve për këta persona.