Bekim Laci
09 Shkurt 2018•Përditësim: 09 Shkurt 2018
SHKUP (AA) - Delegacioni të Ministrive të Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë sot në Shkup kanë zhvilluar raundin e shtatë të negociatave lidhur me Masat për ndërtimin e besimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, takimi ka përfaqësuar vazhdimin e djalogut miqësor dhe konstruktiv për fusha të ndryshme me interes të përbashkët dhe në mbështetje të përpjekjetve të dy qeverive për krijimin e klimës pozitive politike në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve fqinje.
Kontributin e tyre në takim, theksohet në njoftim, e dhanë ekspertë nga institucionet kombëtare të Maqedonisë dhe Greqisë.
"Fushat e dakorduara të bashkëpunimit përfshijnë projekte për ndërlidhje, bashkëpunim policor, programet evropiane, por edhe fushat kulturë, arsim, mbrojtje civile, administratë publike, shëndetësi, bashkëpunimin midis dy akademive diplomatike, si dhe realizimin e nismave të biznesit", thuhet në njoftim.
Nga atje bëjnë të ditur se gjithashtu është iniciuar edhe një bashkëpunim në fushën e sizmologjisë dhe se është nënshkruar një Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes civile.
Takimi i ardhshëm apo raundi i tetë i bisedimeve për ndërtimin e besimit midis dy vendeve do të mbahet në Athinë.