Besar Ademi
27 Shkurt 2017•Përditësim: 28 Shkurt 2017
SHKUP (AA) – Mijëra qytetarë të Shkupit në shenjë proteste marshuan në mënyrë paqësore nga godina e Qeverisë së Maqedonisë drejt Kuvendit për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj siç thonë ata, “pranimit të platformës shqiptare nga lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev”, raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët e tubuar në organizim të iniciativës së sapoformuar “Për Maqedoni të përbashkët” thonë se bëhet fjalë për ruajtjen dhe mbrojtjen e unitetit të Republikës së Maqedonisë, “kryesisht për mbrotjen e gjuhës maqedonase, e cila është rrënja e mbijetesës dhe identitetit të popullit maqedonas”.
Ata kërkojnë nga liderët politik që prioritet të kenë interesat kombëtare dhe shtetërore, si dhe të mos pranojnë që platformat e arritura jashtë Maqedonisë të ndikojnë në politikën e brendshme të këtij vendi.
Edhe pse organizatorët bënë thirrje që në protestë të mos shfaqen simbole etnike, politike apo fetare, por të kërkohet zgjidhja e kësaj krize politike në mënyrë demokratike, në marshimin e tyre nuk munguan brohoritjet nacionaliste ndaj popullit shqiptar.
Para Kuvendit të Maqedonisë, ku dhe përfondoi protesta në mënyrë paqësore, organizatorët të cilët mbajtën fjalime paralajmëruan se do të protestojnë çdo ditë deri sa partitë politike të zgjidhin krizën aktuale politike që e ka përfshirë vendin. Ata thonë se janë duke protestuar kundër, siç thonë ata, ndryshimit të Kushtetutës, emrit dhe rrënjëve të shtetit.
Pasditen e sotme lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ia dorëzoi presidentit Gjorgje Ivanov, dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, ndërsa nga kabineti i presidentit njoftuan se pas parashtrimit të dëshmisë, pritet që Ivanov të marrë vendim për dhënien e mandatit në ditët në vijim.
Ndryshe, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit presidenti Ivanov ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë së re kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili në afatin kohor prej 20 ditësh nuk arriti të formojë shumicë parlamentare, pas së cilës presidenti Ivanov i thirri në konsultime liderët e partive politike që morën mandate në Kuvendin e Maqedonisë.