Besar Ademi
27 Janar 2017•Përditësim: 27 Janar 2017
SHKUP (AA) – Në kuadër të 28 Janarit – Ditës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Republikës së Maqedonisë prezantoi rezultatet e operacioneve të saj në vitin e kaluar, si dhe aktivitetet e deritanishme në kuadër të IPA Projektit “Përkrahje për qasje deri te e drejta e mbrojtjes së të dhënave personale”, raporton Anadolu Agency (AA).
IPA Projekti “Përkrahje për qasje deri te e drejta e mbrojtjes së të dhënave personale”, që financohet nga Bashkimi Evropian, përfshin elementet kyçe të projekt-strategjisë së re (2017-2020), dokument në të cilin parashikohet ridisejnimi i ligjdhënies së Maqedonisë në kontekst të Rregullores së Bashkimit Evropian nga 25 maji i vitit 2016 në Parlamentin Evropian.
Në projekt-strategjinë, mes tjerash është parashikuar një pjesë e cila ka të bëjë me Maqedoninë, për të cilën edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, me rëndësi të veçantë është harmonizimi i ligjdhënies, në punë me klientët, në procedurat dhe të punësuarit në Drejtorinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Goran Trajkovski, theksoi se ky projekt është i rëndësishëm për institucionin që drejton ai, sepse i mundëson përforcimin e mëtejshëm të kapaciteteve në zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave, si dhe në ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e privatësisë.
“Bashkërisht me vendet anëtare dhe vendet kandidate të Bashkimit Evropian, këtë vit do të punojmë për zbatimin e legjislacionit të ri. Kjo do të thotë se në maksimum do t’i përfshijmë organizatat joqeveritare dhe palët e interesuara, në mënyrë që të kemi një legjislacion koherent, që nga data e miratimit, në muajin maj të vitit 2018, do të jetë në fuqi të plotë”, deklaroi Trajkovski.
Nga ana tjetër, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë, Ixhet Memeti, tha se edhe pse e drejta e mbrojtjes së të dhënave personale është kategori kushtetuese dhe e drejtë themelore e njeriut, praktika në Maqedoni tregon se numri më i madh i cenimeve të kësaj të drejte janë rezultat i zhvillimit të pamjaftueshëm të vetëdijes publike dhe zbatimit joefektiv të parimeve themelore për mbrojtjen e të drejtave personale.
“Në Maqedoni jo vetëm që duhet të forcohet legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale, por duhet edhe të bëjmë përpjekje në promovimin e këtyre të drejta themelore për mbrojtjen e të dhënave”, u shpreh Memeti, duke porositur se hapi i parë dhe i domosdoshëm që duhet të ndërmerret është zbatimi i fushave për ngritjen e vetëdijes, me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të të dhënave personale.
Ndryshe, Komiteti i Ministrave pranë Këshillit të Evropës, më 26 prill të vitit 2006 vendosi që 28 Janari të festohet si Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. 28 Janari sot festohet globalisht edhe jashtë Evropës dhe është e njohur si Dita e Privatësisë.