Saimir Alija
17 nëntor 2017•Përditësim: 18 nëntor 2017
TIRANË (AA) – Rreth 60 nxënës janë asfiksuar në Shupenzë të Bulqizës si pasojë e tymit të shkaktuar nga vendosja në punë e kaldajës në shkollën e mesme të Shupenzës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Policisë së Dibrës, nxënësit janë asfiksuar si pasojë e tymit të shkaktuar nga vendosja në punë e kaldajës së shkollës.
“34 nxënës po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Bulqizës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 25 nxënës po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Peshkopisë, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Një nxënëse me inicialet A.M, 16 vjeçe, është nisur me helikopter drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar, ku thekson se po ndjek nga afër situatën në Bulqizë, ku janë asfiksuar dhjetëra nxënës.
"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për shërbimin mjekësor në spitalet e Bulqizës dhe të Peshkopisë . Gjithashtu ka vënë në dispozicion Njësinë e Helikopterëve në rast se do të jetë e nevojshme transporti për mjekim më të specializuar në Tiranë", thuhet në njoftimin e ministrisë.