Zülfiya Yakup
17 nëntor 2017•Përditësim: 17 nëntor 2017
BRUKSEL (AA) - Këshilli i Stabilizim-Asociimit (Këshilli i SA-së) midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ka mbajtur të premten në Bruksel takimin e tij të dytë, me ç'rast rikujtoi se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është thelbi i marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në një njoftim nga Brukseli, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) siguron kornizën kontraktuale brenda së cilës BE dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre dhe do të vlerësojnë zhvillimet në marrëdhëniet e tyre.
Delegacioni kosovar, thuhet më tej, ka theksuar vendosmërinë në angazhimin për të përmbushur shpejtë reformat kryesore të SAA-së, të identifikuara në axhendën e reformave evropiane, duke qenë në koordinim të ngushtë me institucionet e BE-së, me qëllim të përparimit të vazhdueshëm në rrugën e saj evropiane.
Këshilli i SA-së shqyrtoi zhvillimet e fundit kryesore lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e MSA-së.
Në takim u diskutua për prioritetet e reformave në kuadër të MSA-së, në fushat që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe punësimin.
Axhenda e reformës evropiane e dakorduar së bashku duhet të shërbejë si një udhëzues për rezultatet konkrete.
Në takim është theksuar rëndësia e angazhimit të vazhdueshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura pa vonesë. Janë përshëndetur përparimet më të fundit të bëra në këtë drejtim dhe u theksua nevoja që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog të zbatohen pa vonesa të mëtejshme.