Malik Hasa
12 Shkurt 2017•Përditësim: 13 Shkurt 2017
TIRANË (AA) - Policia në Shqipëri gjatë operacionit të koduar "Apollonia", ka arrestuar dy persona të cilët akuzohen për vjedhjen e objekteve në Parkun Arkeologjik të Apollonisë në Fier, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë, thuhet se janë arrestuar në flagrancë shtetasit T. Fasko, 35 vjeç dhe S. Fasko, 38 vjeç, të dy banues në Fier. Gjithashtu janë shpallur në kërkim nga policia dy persona të tjerë.
"Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhe të gjatë kohe në mënyre të paligjshme kanë gërmuar në parkun kombëtar të mbrojtur të 'Apollonisë' ku kanë nxjerrë rrethe 230 objekte arkeologjike si bronz, hekur dhe qeramike të cilat pasi i grumbullonin në banesat e tyre i përgatisnin me qellim trafikimin e tyre. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale objekte arkeologjike si bronz, hekur dhe qeramikë. Gjithashtu në banesën e njërit prej tyre u sekuestrua një pajisje dedektor për gjurmim të antikuareve", thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet se materialet arkeologjike të sekuestruara do t'i kalojnë për vlerësim Ministrisë së Kulturës.