Sibel Vezaj
24 Nëntor 2016•Përditësim: 24 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) sot organizoi një tryezë të rrumbullakët me temë “Bojkoti i komunitetit serb: dialog apo tensione?”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë tryezë, Sasa Rasiç, ish-ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, tha se bojkoti i institucioneve qendrore të Kosovës nga ana e "Listës Serbe" nuk është risi në skenën politike të Kosovës. Ai theksoi se bojkoti është përdorur edhe më parë nga kjo palë për arritjen e qëllimeve të caktuara politike. Rasiç shtoi se ky bojkot nuk është i drejtë, duke vënë në dukje se ka ardhur si rezultat i mungesës së dialogut mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Ai shtoi se është paradoksale, kur të gjithë insistojnë për dialog, të ketë problem në mes të serbëve dhe të shqiptarëve të Kosovës.
“Kjo është ajo që duhet të adresohet dhe ajo çfarë ne duhet të insistojmë dhe përmes dialogut të zgjidhen situatat e caktuara. Nëse nuk ekziston një dialog i tillë mund të pasojnë tensionet e caktuara, mirëpo unë mendoj që tensionet e tilla nuk mund të jenë të rëndësishme dhe më të mëdha në aspektin e eskalimit dhe para së gjithash për arsye se ekziston dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, tha Rasiç.
Nexhmedin Spahiu, analist politik, tha se roli i serbëve të Kosovës duhet të jetë që të ndërtojë një urë lidhëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se për fat të keq ky rol aktualisht nuk po luhet.
“Ne në këto 17 vite të pasluftës por edhe më parë kemi parë që Beogradi ka sakrifikuar këtë komunitet për interesat e ngushta të politikanëve në Serbi. Kemi parë që Prishtina këtë komunitet më tepër e ka parë si barrë, që na ka mbetur në qafë këtu dhe tani ndërkombëtarët na detyrojnë të merremi me ta, të bëjmë lëshime dhe ne duhet të rezistojmë aq sa mundemi që mos të ua plotësojmë të gjithë ato kërkesat e tyre, të cilat mund të jenë të rrezikshme për ardhmërinë e vendit tonë”, tha Spahiu.
Kurse Rifat Marmallaku, ekspert për çështje të sigurisë, tha se situata në veri të Kosovës po mbetet e tensionuar dhe e paqëndrueshme për shkak të qëndrimeve politike të serbëve të Kosovës dhe të Beogradit. Ai theksoi se opsioni i vetëm për një jetë më të mirë për të gjithë në Kosovë është dialogu.
Sipas tij besimi i qytetarëve në veri për Policinë e Kosovës është ndjeshëm më i ultë se sa në raport me drejtoritë e tjera rajonale të policisë së Kosovës. Ai shtoi se kjo është pasojë e paqartësisë politike.
“Përfaqësuesit politik duhet të japin mesazhe të qarta e jo të krijojnë konfuzione në raport me respektimin e institucioneve të Kosovës. Ata duhet të krijojnë një klimë relaksuese dhe ta mbështesin policinë si një nga gardianët kryesorë të sigurisë”, tha Marmallaku.
Sipas Marmullakut, pjesëmarrja e Listës Serbe në institucionet e Kosovës mund të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në normalizimin e marrëdhënieve.