Sibel Vezaj
18 Janar 2017•Përditësim: 18 Janar 2017
PRISHTINË (AA) - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka përsëritur ftesën për përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, që të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, në Qeveri dhe në Kuvend. Kryeministri tha se Qeveria është e përkushtuar për dialog dhe për të implementuar marrëveshjet nga dialogu, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Mustafa tha se përkundër provokimeve nga Serbia, Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të përgatitura dhe të koordinuara mes vete, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare për të mbrojtur stabilitetin e arritur dhe për të avancuar prosperitetin e Kosovës. Ai ripërsëriti ftesën për serbët e Kosovës, që ata të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës dhe ftoi ministrat serb, “të cilët e respektojnë Kushtetutën, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës” të kthehen në Qeveri.
Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë për të implementuar marrëveshjet nga dialogu, edhe marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne do të fillojmë me implementimin e saj në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me Marrëveshjen e parë, por me pjesëmarrje të serbëve dhe komuniteteve tjera në këtë proces. Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent si për institucionet e Republikës së Kosovës ashtu edhe për opozitën dhe për shoqërinë civile”, ka thënë Mustafa.
Ai i bëri thirrje edhe pushtetit lokal të Komunës Veriore të Mitrovicës për zbatimin e ligjit rreth murit të ndërtuar pa leje. “Qeveria nuk është e interesuar të ndërhyjë në punët e pushtetit lokal, përderisa ky pushtet do të respektojë dhe do të implemetnojë ligjin, por në rast të kundërt, Qeveria do të kërkojë nga organet përkatëse të marrin masa ligjore për të mos lejuar që askush të ngre mure për të ndarë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.
Kryeministri vuri në dukje se dialogu është orientim strategjik dhe që nuk ka alternativë, por shtoi që “Duhet të sigurojmë që dialogu të jetë efektiv dhe sa më gjithëpërfshirës”. Mustafa ftoli edhe Qeverinë e Serbisë, që të heq dorë nga gjuha kërcënuese, dhe këtë gjuhë ta zëvendësojë me gjuhën e dialogut dhe të bashkëpunimit.
“Provokimet, si shtytja e serbëve kosovarë për t’u larguar nga integrimi në institucionet e Kosovës, muri i Mitrovicës, keqpërdorimi i institucioneve ndërkombëtare të sigurisë për të provokuar Kosovën dhe qytetarët e saj me fletarreste të paligjshme dhe të motivuara politikisht, provokimet si ai me trenin e pa licencuar dhe me elemente nxitëse të urrejtjes etnike, nuk janë sjellje të konstruktivitetit nga ana e Serbisë. Prandaj Qeveria jonë është e bindur se skenarët e tij jo vetëm që janë të parealizueshme, por janë edhe anakronike, ashtu siç jemi të bindur se serbët kosovarë të ardhmen e tyre e kanë në Republikën e Kosovës dhe e kanë në institucione të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.
Ai po ashtu konkludoi se “Qytetarët e Kosovës nuk do të ndahen me mure, por do të bashkohen me ura, Ramush Haradinaj nuk do të ekstradohet në Serbi, por do të kthehet në Kosovë dhe, trenat do të mund të hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe nga Kosova në Serbi, duke respektuar në mënyrë të dyanshme rregullat e lëvizjes së mallrave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”.
Së fundmi, kryeministri Mustafa shtoi se kanë vepruar mbi bazën e kompetencave kushtetuese për menaxhimin e provokimit nga Serbia me trenin pa licencë dhe të ngarkuar me parulla provokuese. Ai falënderoi qytetarët për shkallën e lartë të përgjegjësisë, me të cilën kanë përballuar provokimet nga Serbia.