Figen Shaban
26 Shtator 2017•Përditësim: 27 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri takoi Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi ku biseduan për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë dhe për projektligjet që do t’i procedojnë në Kuvendin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media ministri Tahiri tha se ka njoftuar kryeprokurorin Lumezi për plotësim ndryshime në Kodin penal dhe punën që ndërlidhet me reformën e axhendës evropiane duke bërë të ditur se pjesë e asaj axhende janë koncept dokumenti për suspendimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë që janë nën aktakuzë apo nën hetime.
“Në fokusin tim kanë qenë plotësim-ndryshimet në Kodin penal si dhe në pjesën e rishikimit të legjislacionit që ndërlidhet me konfiskimin e pasurisë. Unë jam shumë i bindur që këto plotësim-ndryshime do të ndihmojnë dhe do ta lehtësojnë punën e Prokurorisë po ashtu edhe të policisë që puna e tyre të jetë sa më efikase dhe në kohë sa më të shpejtë të japin rezultate konkrete”, tha Tahiri.
Ndërsa, kryeporokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi theksoi se është i rëndësishëm kontributi i Ministrisë së Drejtësisë në përgatitjen e legjislacionit të drejtësisë penale në ligjet që do të funksionalizojnë dhe rrisin efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.
Ai po ashtu shprehu besimin se do ta kenë përkrahjen e ministrit të ri Tahiri në ligjet për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së përfituar me vepër penale duke e krijuar një trup civil si dhe çështje të tjera në bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit.
Ndërkaq, për rastin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo për të cilin ka pasur akuza nga qytetarët e Prishtinës se ai gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 ka torturuar dhe maltretuar ata, kryeprokurori Lumezi tha se janë duke mbledhur informacione, pas të cilave do të vendosin për fillimin e hetimeve zyrtare.
"Ne jemi në fazën e dëgjimit të personave, të cilët kanë dhënë informacione për ministrin e ri të Bujqësisë. I kemi dëgjuar disa prej tyre. Jemi duke mbledhur informacione tjera, kemi marrë informacione edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe qytetarët të cilët e kanë akuzuar. Do ta dëgjojmë së shpejti dhe ministrin në cilësinë e personit të dyshuar dhe pas mbledhjes së të gjitha informacioneve dhe fakteve lidhur me këtë çështje do të vendosim nëse do të fillojmë me hetim zyrtar dhe nëse ka dyshim të arsyeshëm se është kryer një vepër penale, apo janë vetëm thashetheme”, tha Lumezi.