Fatjon Cuka
26 Shtator 2017•Përditësim: 27 Shtator 2017
TIRANË (AA) - Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, priti sot në një takim zyrtar, ministrin e Forcës për Sigurinë e Kosovës, Rrustem Berisha, ku pjesë e diskutimeve ishte bashkëpunimi mes dy vendeve, mbështetja e Shqipërisë në procesin e integrimit të Kosovës në NATO, etj, zhvillimet në rajon, raporton Anadolu Ageny (AA).
Në përfundim të takimit, u mbajt një deklaratë e përbashkët për mediat, ku ministrja Xhaçka theksoi se e gjithë eksperienca e Shqipërisë në rrugën e integrimit të plotë në NATO do të vijojë të përcillet tek institucionet e Kosovës.
“Integrimi i plotë i Ballkanit në NATO, do të thotë më shumë siguri, më shumë stabilitet, më shumë demokraci, jo vetëm për vendet tona, por edhe për Aleancën në tërësi. Integrimi i Kosovës është një destinacion i natyrshëm, sikundër për të gjitha vendet e Ballkanit. Garantoj gatishmërinë tonë për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve e mbi të gjitha për të ndarë me Qeverinë e Kosovës, eksperiencën tone lidhur me anëtarësimin në NATO”, taksoi Xhaçka.
Ajo tha me tej se "Republika e Kosovës, me ndihmën e pakursyer të vendeve aleate dhe atyre partnere, në përputhje me legjislacionin e brendshëm të saj, do të realizojë shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të saj".
Ministri i Forcës për Sigurinë e Kosovës nënvizoi se për palën kosovare, Shqipëria është aleati më i fuqishëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut të Veriut dhe jo vetëm. Ai ka shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës një ndër prioritet e saj ka edhe forcimin e institucioneve të sigurisë, ku sipas tij, në këtë kuadër të saj është edhe transformimi i Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës.
"Republika e Kosovës synon që të promovojë raportet e mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit. Jo vetëm për të minimizuar kërcënimet, rreziqet, por për të tejkaluar trashëgiminë e së kaluarës sepse ne e dimë që në këtë rajon kemi patur një trashëgimi jo fortë të mirë dhe shpresojmë që ne do të gjejmë mënyrën, do të gjejmë forcën dhe format që të tejkalojmë të gjitha ato barriera që të luftojmë, të cilat do të rrezikojnë sigurinë e brendshme, sigurinë rajonale dhe sigurinë globale", tha Berisha.
Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni nga Kosova, i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, mori pjesë në një mësim tregues mbi taktikat stërvitore për pjesëmarrjen në misione, në batalionin e Forcave Speciale të Shqipërisë.