Fatjon Cuka
22 nëntor 2018•Përditësim: 23 nëntor 2018
TIRANË (AA) - Protesta e banorëve të Tiranës që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe të kryeqytetit, është zhvendosur sot para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta filloi gjatë kohës kur mbahej seanca parlamentare, ndërsa si pasojë e përplasjes mes policisë dhe banorëve janë plagosur 12 punonjës të policisë dhe disa protestues.
Tensionet nisën në kohën kur protestuesit tentuan të hyjnë në oborrin e selisë së Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa hodhën edhe tymuese e sende të tjera, duke u përplasur me forcat e policisë.
Protesta është mbështetur edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë, ndërsa protestuesit në fund të saj kanë deklaruar se protesta e tyre do të vazhdojë.
- Reagon kryeministri Rama dhe Policia e Shqipërisë
Në lidhje me protestën ka reaguar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, ku në një njoftim ka konfirmuar plagosjen e 12 punonjësve të policisë.
“Gjatë protestës që përshkallëzoi në akte dhune ndaj forcave të rendit, përballë godinës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë plagosur disa efektivë të Policisë së Shtetit. Po marrin mjekim 12 punonjës policie. Efektivët janë lënduar me mjete të forta dhe piroteknike, hedhur nga tubuesit mbi punonjësit e Policisë, të cilët janë dërguar në spital për ndihmë të specializuar mjekësore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, për protestën ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ku nëpërmjet rrjetit social Twitter, tha se “Dhuna ndaj policëve në emër të paligjshmërisë, nuk do të tolerohet.”
Kujtojmë se banorët që protestojnë prej mbi dy javësh kërkojnë që të marrin garanci të plotë për dëmshpërblimin, duke pretenduar se nuk është faj i tyre që kanë ndërtuar banesat në zonën ku kalon segmenti rrugor i Unazës së Madhe.
Nga projekti i ndërtimit të Unazës së Re (Unazës së Madhe) të Tiranës parashikohet shembja e qindra banesave dhe objekteve të tjera, ku një pjesë e tyre nuk janë të legalizuara apo regjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës kanë deklaruar më parë se për këtë kategori të banorëve të prekur nga shembja e banesave, bashkia do të ofrojë qiranë për 3 vite.