Sibel Vezaj
07 Mars 2017•Përditësim: 08 Mars 2017
PRISHTINË (AA)- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot priti në takim presidentin Hashim Thaçi. Gjatë këtij takimi Thaçi i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit projektligjin për transformimin e Forcës për Sigurinë e Kosovës në Ushtri të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas këtij takimi në një konferencë për media, presidenti Thaçi tha se bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese si president dhe si komandant suprem i FSK-së, ka dorëzuar projektligjin për FKS-në, i cili sipas tij bëhet me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit, integritetit territorial, të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore të Republikës ës Kosovës.
Ai u shpreh se do të donin që transformimi i FSK-së të ndodhte përmes një procesi transparent, përcjellë me ndryshime kushtetuese. Por sipas tij kjo nuk ka ndodhur për shkak se deputetët e komunitetit serbë e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese për themelimin e ushtrisë së Kosovës.
“Ky realitet është për keqardhje aq më tepër kur dihet se qëndrimi kundër ndryshimeve kushtetuese origjinën e ka në Serbi, kurse Kosova nuk mund ta lë fatin e vet në mëshirën e askujt. Prandaj për mua si president më e rëndësishme se simbolika që lidhet me emrin është përmbajtja. Kosova përfundimisht po ndërton ushtrinë e saj moderne. Të them të drejtën, personalisht ndihem shumë mirë me emrin FSK dhe mendoj se ky emërtim është shumë adekuat për ushtrinë e Kosovës”, tha Thaçi.
Presidenti po ashtu kërkoi nga shtetet anëtare të NATO-s që të vazhdojnë ta ndihmojnë FSK-në dhe shtoi se shtetet fqinje duhet ta kuptojnë këtë transformim si një hap krejtësisht normal të një shteti sovran dhe të pavarur. Sipas tij, me këtë transformim nuk do të ketë implikim në misionin e KFOR-it dhe se ai do të vazhdojë të funksionojë si zakonisht.
Së fundi Thaçi theksoi se brenda një periudhe të duhur kohore, kryetari dhe Kryesia e Kuvendit do ta procedojë për miratim ligjin për FSK-në dhe se ky projektligj do të marr përkrahjen e të gjitha partive politike.
Kurse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli gjatë fjalimit të tij tha se kjo është ditë e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie. Ai bëri të ditur se të nesërmen do ta ftojë Kryesinë e Kuvendit në mënyrë që t’i procedojnë dhe t’i respektojnë të gjitha procedurat, në bazë të rregullores së Kuvendit.
“Përmes këtij transformimi Kosova tani më nuk është vetëm konsumues i paqes, por është kontribues i paqes në rajon. FSK është organizata më prestigjioze dhe profesionale në RKS-në, si organizim dhe reputacion”, tha Veseli.