Figen Shaban
14 Shtator 2017•Përditësim: 15 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në tryezën e organizuar nga Organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me temë “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi” deklaroi se pas themelimit të institucioneve të reja të Kosovës, është e rëndësishme që të vazhdojë dialogu me Serbinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi duke theksuar se nevojitet një kualitet tjetër i dialogut tha se përmbyllja e procesit me sukses do të ishte në interes të Kosovës, rajonit dhe të investimeve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë edhe në Serbi por edhe në gjithë rajonin e Ballkanin.
Thaçi tha se shteti i Kosovës ka marrë obligime mbi vete që duhet t'i plotësojë, siç është mbyllja e procesit të demarkacionit me Malin e Zi, i cili ka mbetur kushti i vetëm që duhet plotësuar për liberalizimin e vizave.
Duke bërë të ditur se Kosova duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura në vitin 2013 në Bruksel, ai u shpreh se marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Kushtetutës së Kosovës duhet implementuar.
Thaçi shprehu bindjen e plotë se në fund të procesit të dialogut “Do të shohim normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore, njohjen reciproke dhe pajtimin”.
“Është inkurajuese që për këtë janë të përcaktuar të gjithë, të gjitha partitë politike pavarësisht dallimeve. Kemi një konsensus të plotë rreth nevojës së dialogut. Ka dallime se si duhet të zhvillohet ky dialog. Prandaj do ta gjejmë formën dhe mundësinë më të mirë që na bashkon si spektër poltik në Kosovë në mënyrë që të lëvizim përpara. Prandaj une tashmë kam bërë publike iniciativën time për themelimin e një 'Ekipi të unitetit' për të punuar bashkarisht për përmbylljen e këtij procesi”, tha presidenti Thaçi.
Duke theksuar se duhet të punohet bashkarisht për të ndërtuar një konsensus nacional dhe politik, që të përmbyllet me sukses faza përfundimtare e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi theksoi se ka inicuar themelimin e Ekipit të Unitetit me synimin që të përfshihet i gjithë spektri politik kosovar në këtë fazë, pa bërë dallime.
Ai po ashtu shtoi se Kosova ka institucionet e veta shtetërore ku pjesë e ekipit të unitetit do të jenë zyrtarë nga Presidenca, Qeveria, Kuvendi, shoqëria civile duke kërkuar përkushtimin direkt të BE-së dhe SHBA-ve ndaj këtij procesi.
“Sigurisht që është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare veçanërisht BE-ja por edhe shtetet anëtare të BE-së veç e veç të mbeten të përkushtuar ndaj procesit dhe të inkurajojnë palët të implemetojë çdo marrëveshje të arritur. Natyrisht unë kam kërkuar që në fazën përfundimtare të këtij procesi të kemi edhe përfshirjen direkte të SHBA-ve”, tha Presidenti Thaçi.