Sibel Vezaj
23 Shkurt 2017•Përditësim: 23 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA)-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim një delegacion të Këshillit Nacional Boshnjak të Sanxhakut të kryesuar nga Sulejman Ugljanin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se presidenti Thaçi gjatë këtij takimi është njoftuar me pozitën e komunitetit boshnjak në Sanxhak dhe me përfaqësimin e tyre në institucionet lokale dhe qendrore.
Në këtë takim është biseduar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit ndërmjet komunitetit shqiptar në Luginë e Preshevës dhe atij boshnjak në Sanxhak, veçanërisht për avancimin e të drejtave të tyre.
“Republika e Kosovës është e hapur për bashkëpunim me komunitetin boshnjak në fushën e ekonomisë, kulturës dhe fusha tjera me interes”, u shpreh presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar delegacionin boshnjak për mbështetjen që ky komunitet i ka dhënë popullit të Kosovës, sidomos në periudhën e luftës.