Figen Shaban
03 Prill 2017•Përditësim: 04 Prill 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti atletët Kushtrim Veseli dhe Medina Surdulli, të cilët fituan tri medalje në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore 2017, të mbajtura në Schladming të Austrisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se Thaçi u premtoi mbështetje për pjesëmarrje edhe në olimpiada të tjera. Ai po ashtu i inkurajoi që të punojnë dhe të përgatiten për sukseset e radhës, thuhet në njoftim.
“Kam qenë i bindur në fitoren tuaj. Ne jemi shumë krenarë me ju, sepse fitoret tuaja nderojnë edhe shtetin e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore 2017, dy atletët u kthyen në Kosovë me tri medalje, një medalje të arit dhe dy medalje të argjendta ku në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore ata garuan në mesin e atletëve nga 150 shtete të botës.
Atleti i Olimpiadës Speciale të Kosovës, Kushtrim Veseli, fitoi dy medalje në dy kategori. Në kategorinë e skijimit “Alpine Novice Giant Slalom”, atleti Veseli fitoi vendin e parë dhe u dekorua me Medaljen e Artë, kurse në kategorinë “Alpine Novice Slalom”, ai fitoi vendin e dytë dhe u dekorua me Medaljen e Argjendtë.
Ndërkaq, atletja Medina Surdulli fitoi vendin e dytë në kategorinë “Alpine Novice Giant Slalom” duke fituar Medalje Argjendi.