Sibel Vezaj
08 Mars 2017•Përditësim: 09 Mars 2017
PRISHTINË (AA)- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ritheksoi se FSK-ja do të transformohet dhe ky transformim do të përmbyllet suksesshëm, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi në një konferencë për media foli për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës si dhe për reagimet e NATO-s dhe të SHBA-ve lidhur me këtë proces. Ai shprehu bindjen se ky proces do ta bashkojë gjithë spektrin politik dhe shoqëritë civile dhe se kryeministri Mustafa shumë shpejt do ta japë mbështetje ndaj këtij projektligji. Sipas tij, Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur dhe asnjë veprim të njëanshëm, antligjor apo antikushtetues.
“Ne si institucione demokratike të shtetit të pavarur dhe sovran kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie moderne, profesionale, multietnike, që do të jetë në gjendje për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin shtetëror të vendit tonë. Këtë obligim kushtetues dhe ligjor as nuk e ka kontestuar dhe nuk do të mund ta kontestojë askush ndër partnerët tanë perëndimor, duke përfshirë edhe NATO-n dhe shtetet anëtare të saj”, tha Thaçi.
Sipas presidentit Thaçi, këtë akt të cilin e konsideron të domosdoshëm, e ka kundërshtuar vetëm Serbia me pretendim se themelimi i ushtrisë së Kosovës paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon. Në të kundërtën, sipas Thaçit Serbia me krenari nacionaliste po e mbush hapësirën e saj ajrore me aeroplanë të tipit MIG të dhuruar nga Rusia.
“Unë pres nga NATO të jetë e vetëdijshme për këto rreziqe konkrete të cilat i kemi diskutuar edhe në takimin e fundit që e kemi zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe të mos shqetësohet për avancimin e rolit të FSK-së, duke ditur se FSK është ngritur dhe është trajnuar pikërisht nga NATO dhe shtetet anëtare të saj”, tha Thaçi.
Ai bëri të ditur se shqetësimeve të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe të shteteve të Quintit dhe të SHBA-ve se ky proces është i njëanshëm, iu është përgjigjur me faktin se deputetët e komunitetit serb për 3 vite me radhë kanë deklaruar se nuk do e votojnë kurrë këtë ndryshim, sipas tij, në bazë të urdhërave direkte nga Beogradi. Thaçi po ashtu tha se nuk është e pranueshme nëse sekretari I NATO-s nuk po pajtohet me këtë proces për shkak të qëndrimit të Serbisë.
Thaçi po ashtu u shpreh se në bisedën telefonike të zhvilluar me kryeministrin e Serbisë, Vuçiç, ka treguar se ky proces nuk paraqet asnjë kërcënim për Serbinë dhe se ka kërkuar që deputetët serbë t’i kthehen punës së tyre në institucionet e Kosovës, sipas tij, për t’i përfunduar proceset e krijimit të komunave me shumicë serbe, si dhe të përfundimit të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi. Por sipas tij, përgjigja ka qenë zhgënjyese.
Ndryshe, dje Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli projektligjin për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Kurse sot ky projektligj u procedua nga kryesia e Kuvendit të Kosovës për në Qeveri, i cili pritet që shumë shpejt të kthehet në Kuvend.