Sibel Vezaj
10 Mars 2017•Përditësim: 10 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, ambasadorin Lamberto Zannier, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se Thaçi gjatë këtij takimi ka thënë se Kosova është konsoliduar si shtet në rajon dhe po punon që të zgjerojë bashkëpunimin me të gjitha organizatat ndërkombëtare.
“E çmojmë dhe e vlerësojmë lart angazhimin e misionit të OSBE-së në Kosovë”, ka thënë presidenti i Kosovës.
Zannier: Liderët duhet të përkushtohen për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, ambasadori Lamberto Zanier, ka thënë se misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar në përkrahjen e proceseve që ndihmojnë forcimin e paqes dhe stabilitetit, forcimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, si dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Rikthimi i trendit pozitiv të normalizimit të marrëdhënieve është kyç për progres dhe stabilitet. Liderët duhet të mbesin të përkushtuar për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE me energji dhe garanci të reja”, ka thënë Zannier.
Duke theksuar se zhvillimet në rajon janë veçanërisht shqetësuese, Zannier ka thënë se “U takova me liderë qeveritarë dhe të opozitës, dhe i inkurajova të mbajnë qasje konstruktive në mënyrë që të shmanget përhapja e tensioneve."
Ai po ashtu ka bërë thirrje për dialog të mëtutjeshëm mes të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend, sipas tij, për të zgjidhur mospajtimet politike, në të mirë të të gjithë qytetarëve në Kosovë.
“Dialogu mes të përfaqësuesve të të gjitha partive politike duhet të ndodh në Kuvend pa frikësime dhe pa dhunë. Është përgjegjësi e deputetëve, si zyrtarë të zgjedhur, të përfaqësojnë interesat e elektoratit të tyre në mënyrën më të mirë të mundshme përmes debatit aktiv dhe demokratik,” shtoi ai.
Në takim me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Thaçi u shpreh se Kosova promovon dialogun dhe pajtimin, bashkëpunimin dhe zhvillimin në rajon.