Sibel Vezaj
11 Nëntor 2016•Përditësim: 12 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn sot në takime të ndara u takua me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca bëhet e ditur se gjatë këtij takimi Presidenti Thaçi ka theksuar se vonesat që po i bëhen Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave janë të papranueshme. “Këto vonesa që po shkaktohen nga BE-ja janë një padrejtësi historike ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai po ashtu u shpreh se Kosovës padrejtësisht i janë shtuar kritere nga Bashkimi Evropian, vetëm për t’i arsyetuar vonesat e panevojshme dhe të dëmshme për perspektivën e Kosovës nga ana e Brukselit.
Duke vënë në dukje se Kosova nuk meriton kushtëzime të tilla Thaçi ka thënë se, “Kam frikë se dikush në BE e ka ngatërruar keq procesin për liberalizimin e vizave me procesin e anëtarësimit të Kosovës. Po harroni se Kosova nuk bëhet anëtare e BE-së në momentin që hiqen vizat”.
Thaçi ka theksuar se vonesat në liberalizimin e vizave dhe në qartësimin e rrugëtimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit po krijojnë hapësirë për fuqi të tjera që ta destabilizojnë rajonin, duke rritur ekstremizmin politik dhe fetar. Ai së fundmi ka falënderuar Komisionerin Hahn për ardhjen e tij në Kosovë, menjëherë pas publikimit të raportit të progresit.
Kurse gjatë takimit të Hahn me Veselin u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimit evropian dhe hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces.
Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi bëhet e ditur se në takim kryeparlamentari Veseli ka potencuar angazhimet dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e obligimeve, si në proceset integruese, ashtu edhe në zhvillimin e brendshëm, të identifikuara edhe në Raportin e Progresit.
Ai gjithashtu tha se Kosova po punon maksimalisht, së bashku me partnerët e saj, në avancimin e reformave evropiane, forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Duke e konsideruar të padrejtë izolimin i cili vazhdon t’u bëhet qytetarëve të Kosovës, kryeparlamentari Veseli ka cilësuar si të ngutshme nevojën e heqjes së vizave nga ana e Bashkimit Evropian.
Komisioneri Hahn nga ana e tij ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për mikpritjen dhe ka thënë se vizita e tij në Kosovë dëshmon vendosmërinë për përkrahje që ka Bashkimi Evropian për Kosovën.
Ai ka shtuar se Brukseli është i hapur për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe pret nga Prishtina zyrtare që të zbatojë të gjitha kriteret e kërkuara për procesin e liberalizimit të vizave.