Fatjon Cuka
01 qershor 2017•Përditësim: 02 qershor 2017
TIRANË (AA) - Me rastin Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve disa organizata të shoqërisë civile kanë organizuar në Tiranë një marshim sensibilizues për çështjet dhe problematikat e lidhura me të drejtat e fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Marshimi i mbajtur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ka mbledhur aktivistë të organizatave të shoqërisë civile që kujdesen për të drejtat e fëmijëve, qytetarë, etj.
Duke folur për mediat, Altin Hazizaj, përfaqësues i shoqërisë civile theksoi se kanë dorëzuar kërkesat e tyre tek institucionet më të larta shtetërore në lidhje me zgjidhjen e problematikave të fëmijëve në Shqipëri.
"Sot për 1 Qershorin shoqëria civile ka vendosur të manifestojë. Kemi dorëzuar zyrtarisht kërkesat që ne kemi Presidencës së Shqipërisë, Qeverisë së Shqipërisë, Kuvendit dhe, Bashkisë së Tiranës për të drejtat e fëmijëve. Ne mendojmë se të gjitha institucionet së bashku duhet të bëjnë më shumë për fëmijët dhe sot është dita që ata mund ta tregojnë këtë gjë", theksoi Hazizaj.
Sipas organizatorëve të marshimit mekanizmat e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërsektorial e ndërinstitucional dhe shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve kanë nevojë për përmirësim.
Gjithashtu theksohet se ende mungojnë planifikimi i duhur, buxhetimi dhe programet e ri-arsimit dhe ri-integrimit në komunitet për fëmijët në konflikt me ligjin.
Organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve theksojnë se disa kategori të fëmijëve, siç janë ato nga pakicat etnike, fëmijët me aftësi të kufizuara, vajzat që jetojnë në zonat rurale, përballen me sfida të veçanta rreth të drejtave të tyre.