Malik Hasa
25 Nëntor 2016•Përditësim: 26 Nëntor 2016
TIRANË (AA) - Në Tiranë, në ambientet e Pallatit të Kongreseve Ministria e Arsimit dhe Sportit ka organizuar konferencën kombëtare me temë “Sfidat në formimin fillestar dhe të vazhduar të mësuesve”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë mbajti një fjalë përshëndete ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ku u shpreh se ndryshimet teknologjike kanë sjellë nevojën për njerëz me shkollim të gjerë.
Ajo ka theksuar se faktori kryesor për cilësi në sistemin arsimor mbetet mësuesi dhe sipas saj ky është një rezultat i konstatuar edhe në vendet e tjera.
"Formimi fillestar i mësuesve hedh themelet e para të rrugëtimit drejt profesionit dhe karrierës. Ky formim konsiderohet si pikënisje në procesin e fitimit të së drejtës për të ushtruar profesionin, të zhvillimit profesional të vazhdueshëm dhe vlerësimit të performancës. Ligji i ri për arsimin e lartë i cili ka filluar zbatimin e tij kërkon përafrim dhe ngjashmëri të kurrikulave të formimit të mësuesve në masën 80 për qind", u shpreh ministrja Nikolla.
Ajo ka shtuar se një hallkë tjetër e rëndësishme është praktika pedagogjike, duke e konsideruar si pjesë thelbësore të programit të formimit fillestar të mësuesve. "Mësuesit e rinj duhet të mësojnë nga praktika. Ndryshimet e shpejta teknologjike dhe globalizimi i tregut të punës kanë sjellë nevojën për njerëz me edukim dhe shkollim të gjerë", ka shtuar në fund Nikolla.
Në konferencë ishin të pranishëm përveç drejtuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit edhe drejtues të drejtorive arsimore në vend, ekspertë të arsimit, etj.