Figen Shaban
12 Prill 2017•Përditësim: 13 Prill 2017
PRISHTINË (AA) - Komisioni për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, i drejtuar nga kryetari i këtij komisioni Elmi Reçica, ka zhvilluar sot një takim me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, në të cilin u diskutua mbi rolin e OKB-së në Kosovë nëpërmjet misionit të saj, UNMIK-ut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kuvendi i Kosovës thuhet se duke spikatur figurën dhe rolin pozitiv të Zahir Tanin, edhe në pozitat që ka ushtruar paraprakisht, kryetari i komisionit Reçica, theksoi gatishmërinë e komisionit për të punuar me zyrën e PSSP-së, në funksion të avancimit të raporteve të Kosovës me OKB-në.
Reçica tërhoqi një paralele midis periudhës dhe rrethanave të vendosjes së Misionit të OKB-së në Kosovës dhe realitetit të sotëm, tashmë kur Kosova funksionon si shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës, duke theksuar nevojën e transformimit të këtij misioni në një mision politik të OKB-së në Kosovë, në mbështetje të kësaj të fundit, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, Tanin, në fjalën e tij paraqiti hollësisht punën dhe funksionet e misionit të OKB-së në Kosovë përgjatë prezencës së tij, duke theksuar rolin e këtij misioni në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
Ai tha se “Misioni i UNMIK-ut në veprimtarinë e vet ndahet në dy faza: në fazën para vitit 2008 dhe atë pas vitit 2008, kur në rrethana të reja të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, misioni është rikonfiguruar dhe përshtatur gradualisht me realitetin”.
Tanin njoftoi se nga rreth 15 mijë punëtorë sa kishte ky mision në kohën e administrimit të Kosovës, tashmë ka rënë në afro 350 punëtorë, shumica prej të cilëve vendorë.
Tanin po ashtu bëri të ditur se buxheti i këtij misioni nuk është rritur, përkundrazi, sipas tij, në katër vitet e fundit është zvogëluar për 10 milionë euro.
Gjatë takimit anëtarët e komisionit ngritën çështje të rëndësishme, që prekin aspekte të ndryshme te funksionimit të UNMIK-ut, duke theksuar nevojën e një transformimi të mëtejshëm të rolit dhe misionit të tij, në një zyrë ndërmjetësuese mes Kosovës dhe OKB-së, me qëllim fillimin dhe lehtësimin e bisedimeve për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Tanin gjatë takimit dha sqarime përkatëse lidhur me punën aktuale të misionit, zhvillimet e fundit politike në vend, siç është rasti i ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë.
Në përmbyllje të takimit, u ritheksua gatishmëria për të vazhduar kontaktet, në funksion të qartësimit të dilemave që mund të ngriten.