Sibel Vezaj
17 Janar 2017•Përditësim: 17 Janar 2017
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot iu është adresuar përfaqësuesve të shumtë nga shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, të mbledhur në Vjenë, në Konferencën "Com-sult", në të cilën po diskutohet për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi thuhet se gjatë fjalimit të tij kryeparlamentari Veseli ka bërë një përshkrim të së kaluarës së dhimbshme të popujve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se në ish-Jugosllavi tranzicioni demokratik u la mënjanë dhe në vend të tij u shfaqën hasmëritë dhe urrejtja ndëretnike. Si pasojë e kësaj, Veseli tha se qindra-mijëra civilë të pafajshëm humbën jetën, mes tyre edhe mijëra shqiptarë, ndërsa sipas tij, vendet u kthyen në gërmadha dhe shoqëritë, bashkë me ekonomitë, e tyre u shkatërruan.
Veseli tha se pas luftërave të tmerrshme, shekulli i ri në Ballkanin Perëndimor nisi me një shpresë të re, por me vështirësi në tranzicion, deri më 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ai, po ashtu, pohoi se pavarësia e Kosovës e ka bërë më të qëndrueshëm stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit.
Duke folur për sfidat e vendeve të Ballkanit dhe nevojën e mbështetjes nga Bashkimi Evropian, kryeparlamentari Veseli ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe dialog. Sipas tij, institucionet e Kosovës janë të angazhuara në procesin e dialogut me Serbinë, në mënyrë që marrëdhëniet midis dy shteteve fillimisht të normalizohen, si hap i parë drejt procesit të njohjes reciproke si dy shtete të pavarura, që ndajnë të njëjtën aspiratë për të qenë pjesë e BE-së.
Veseli gjithashtu e cilësoi si brengosës faktin se shpesh herë në Beograd ka një shpërthim të zellit nacionalist për të penguar shtetin e Kosovës dhe integrimin euro-atlantik të tij.
“Provokimet e fundit të Serbisë, si aktualizimi i fletarresteve të kohës së Millosheviqit për ish pjesëtarët e UÇK-së, përpjekjet për të ndërtuar mure ndarëse në veriun e Mitrovicës, lëshimi i trenave ilegalë që duan të futen në Kosovë pavarësisht ligjeve të vendit, janë pasojë e këtij zelli, që ne konsiderojmë se në fund të fundit do t’i bëjë dëm më së shumti vetë Serbisë dhe qytetarëve të saj”, tha Veseli.
Ai theksoi se Republika e Kosovës përbën një realitet gjeopolitik të pakthyeshëm dhe shtoi që “Shumëçka mund të ndodhë në Ballkan, por në asnjë mënyrë kthimi i së kaluarës”.
“Ne i kuptojmë vështirësitë e Serbisë për t’u çliruar nga trashëgimia e së kaluarës, por fqinji ynë verior duhet ta kuptojë se nuk mund të bëhet pjesë e BE-së duke penguar fqinjët e saj që ta bëjnë të njëjtën gjë. Unë besoj se në muajt dhe vitet në vazhdim do të ecim të gjithë së bashku në këtë drejtim, që një ditë paqja e brishtë ballkanike të fitojë epitetin e asaj që quhet paqe demokratike mes kombeve. Por, është e domosdoshme që BE-ja të qartësojë parimin e barazisë së të gjitha shteteve të rajonit në perspektivën integruese”, ka thënë në fund Veseli.
Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Dhurata Hoxha. Në një njoftim nga ministria bëhet e ditur se Hoxha me këtë rast ka folur për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe është përqendruar në një nga kriteret kryesore për integrim-sundimin e ligjit.