Andelija Stojkovic
27 Prill 2017•Përditësim: 27 Prill 2017
BEOGRAD (AA) – Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se vendimi i gjyqësorit francez që të mos e ekstradojë në Serbi ish-liderin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj është “i turpshëm, i paligjshëm dhe parasëgjithash politik”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Për ne kjo asnjëherë nuk do të jetë e pranuar. Mirë është që neve na treguan se çfarë mendojnë për viktimat tona dhe popullin. Mirë është që neve na treguan se si funksionon sundimi i ligjit. Duhet të turpërohen për vendimet e tyre të cilat janë të bazuara në politikë dhe nuk kanë kurrfarë lidhje me drejtësinë dhe të drejtën”, tha Vuçiç.
Ai në konferencën për gazetarë në Qeverinë e Serbisë tha se sot do të thirret ambasadori i Serbisë në Francë, Rajko Ristiç që të kthehet në Beograd për konsultime, ndërsa Francës do t’i dërgohet, siç tha, “nota më e ashpër proteste”, por se nuk do të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike me Francën. “Këtu bëhet fjalë për atë nëse dikush do ta mbrojë krimin ose jo, a do ta respektoni Konventën e Gjenevës dhe Vjenës”, tha Vuçiç.
Kryeministri serb u ankua se gjykata franceze theksoi se Haradinaj nuk mund të ekstradohet në Serbi sepse në opinion tashmë është shpallur fajtor dhe nuk do të kishte kushte për gjykim të drejtë.
Ai tha se për qëndrimet e Serbisë do ta informojë OKB-në dhe se me rastin e vendimit të gjykatës në Kolmar sot pas orës 16 do të bisedojë me telefon me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov. Vuçiç i bëri thirrje bashkësisë ndërkombetare që të mendojë “çfarë inkurajon në Ballkan” dhe “kush inkurajon idenë e Shqipërisë së Madhe”.
Vuçiç shtoi se Serbia do të vazhdojë të përndjek ata që kanë bërë krime lufte dhe se politika e Serbisë nuk do të ndryshojë dhe do të ngel në rrugën evropiane dhe do të ruajë marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.
Kryeministri serb tha se Serbia do të heshtë në atë që “liderët shqiptarë e punojnë, jo pse u frikësohet, porse për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”. Gjykata e Apelit në qytetin francez Kolmar refiuzoi sot kërkesën e Serbisë për esktradimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj me vendim të gjykatës është liruar dhe në afat prej 24 orësh mund të kthehet në Kosovë. Ndaj vendimit të Gjykatës, Serbia nuk ka të drejtë ankese. Haradinaj është arrestuar më 4 janar në territor të Francës, në bazë të një fletarresti të cilin kundër tij e ka lëshuar Serbia.