Admir Fazlagikj
11 Shtator 2017•Përditësim: 12 Shtator 2017
SHKUP (АА) – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev me ftesë të Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Maqedoni sot e vizitoi shtëpinë ndëshkuese-përmirësuese Idrizovë që të njihet me kushtet në burgun më të madh në shtet, raporton Anadolu Agency (AA).
“Më vjen turp që jam kryeministër i një vendi ku burgjet janë jashtë të gjitha standardeve të humanizmit dhe aspektit social të jetës së personave, që janë të dënuar dhe vuajnë dënim në shtëpinë ndëshkuese-përmirësuese Idrizovë”, tha sot kryeministri Zaev pas vizitës në burg.
Ai informoi se në burg ka më shumë të burgosur sesa që duhet të jetë sipas standardeve. Për shkak të kushteve të tilla, kryeministri Zaev tha se pret që institucionet relevante të hapin debat, për siç tha, kushtet e rënda në burgje.
“Kjo në vetvete tregon çfarë pasoja tërheq. Kjo për njerëzit me shëndet të dobët është problem shtesë, ndërsa flasim për shëndet të njerëzve. Ushqimi me siguri është problem shtesë me vetë numrin, i cili gjithashtu është i keq. Njerëzit tregojnë se që të keni pak a shumë minimum vakt të domosdoshëm dhe ushqim cilësor, duhet t’u sjellin nga shtëpia përmes pakove, ndërsa një pjesë gatuajnë vetë në ato hapësira”, theksoi Zaev.
"Shpesh bashkëqytetarët tanë, të cilët vuajnë dënim me burg dinë të dërgojnë apel dhe mesazh përmes mediave sociale duke dërguar fotografi nga kushtet e tyre dhe pikërisht për këtë shkak sot jemi këtu", tha ai.
Një nga zgjidhjet, sipas Zaevit, është ligji për amnisti, temë për të cilën tashmë është hapur debati në opinion.
"Do ta hapim këtë para vetë institucioneve që të mund ta marrin vendimin adekuat në atë që e njeh praktika ndërkombëtare", tha Zaev dhe shtoi se është i bindur dhe e di se duhet patjetër të niset drejt kësaj procedure, që sipas tij, me këtë numër të të burgosurve dhe kushteve nuk është zgjidhje përfundimtare.
Zaevi shprehu bindje se Qeveria dhe Parlamenti janë të gatshëm për zgjidhje të shpejtë të kushteve të këqija dhe johumane në burgjet.