Admir Fazlagikj
07 Shtator 2017•Përditësim: 08 Shtator 2017
SHKUP (АА) - Nën sloganin "Maqedonia e lirë, e lirë jeton" sonte në Shkup përpara platosë së Qeverisë së Maqedonisë u mbajt festa qendrore me rastin e 26 vjetorit nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë, në të cilën kryeministri Zoran Zaev porositi se sot Republika e Maqedonisë është shtet demokratik, zhvillohet në mënyrë demokratike dhe në aspekt evropian përparon, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalim, kryeministri Zaev porositi qytetarët të gjithë së bashku të kyçen në ndërtimin e shtetit i cili do të jetë financiarisht stabil, i sigurtë dhe shtet në të cilin do të ketë mundësi për shumë suksese në të gjitha fushat. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të veprojnë bashkarisht duke ndërtuar, siç tha, një shoqëri për të gjithë, përmes respektit të ndërsjellë dhe mirëkuptimit pa ndasi në çfarë do lloj baze.
"Në mënyrë energjike e zbatojmë procesin e reformave në shtet të cilat i hapën perspektivat euroatlantike ndërsa Maqedonia aktivisht bashkëpunon me fqinjët nëpërmjet miqësive që shndërrohen në ura ndaj të ardhmes sonë të ndritshme. Në këto procese liria është ajo fuqi lëvizëse e cila çon përpara. Ajo liri është fushë e gjerë e mundësive dhe burim i thellë i shanseve që secili mund ti njohë dhe secili është i thirrur të veprojë", tha Zaev.
Ai tha se Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj janë para momentit në të cilin duhet të tregojnë pjekuri, ndërsa theksoi se vendi ka mundësi konkretisht të përparojë në proceset euroatlantike, që janë edhe prioritete të saj strategjike.
“Sytë e gjithë opinionit ndërkombëtar i kthyem nga ne me atë që në mënyrë të matur dhe me durim, nga një vend gjenerator i krizës, Republikën e Maqedonisë e shndërruam në motor të zhvillimit të rajonit. Tani kemi rrugën e hapur për progres përmes duarve të shtrira për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO prej vendeve mike të Maqedonisë. Ekzistojnë mundësi reale që Maqedonia të marrë rekomandim të pastër, ndërsa më pas edhe data për negociata me Bashkimin Evropian. Janë reale shpresat edhe se Republika e Maqedonisë mund të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s”, potencoi kryeministri Zaev.
Test kryesor, sipas tij, janë edhe zgjedhjet lokale për të cilat, siç tha, për herë të parë pas 11 vitesh Qeveria e re demokratike do të organizojë dhe zbatojë zgjedhje. “Fuqimisht jemi përcaktuar që të organizojmë dhe zbatojmë zgjedhje korrekte, demokratike dhe të rregullta, me zero tolerancë për keqpërdorime eventuale”, theksoi kryeministri Zaev.
Të rëndësishme janë, siç theksoi, edhe reformat dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal.
Maqedonia sot feston 26 vjetorin e pavarësisë pas referendumit të suksesshëm që u mbajt më 8 shtator 1991 në të cilin qytetarët e Maqedonisë u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.