Besar Ademi
07 Korrik 2017•Përditësim: 08 Korrik 2017
SHKUP (AA) – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë për shtyp deklaroi se Qeveria në mbledhjen e sotme e miratoi ribalancin e buxhetit për vitin 2017 dhe të njëjtin do t’ia parashtrojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Zaev bëri të ditur se pret që për 12 ose 20 ditë të përfundojnë procedurat në Kuvend dhe ribalanci të sillet para festës së Ilindenit, e cila do të shënohet më datë 2 gusht. Ai theksoi se është paraparë shkurtim i shpenzimeve prej pothuajse 3 miliardë denarëve dhe të investimeve kapitale për po të njëjtën vlerë.
Siç tha kryeministri maqedonas, poashtu është paraparë që të realizohen të gjitha projektet tashmë të filluara infrastrukturore, si dhe të shtohet ndërtimi i disa shkollave të reja në Maqedoninë lindore dhe perëndimore.
Ai theksoi se shkurtimi më i madh është bërë në buxhetin e kryeministrit, diçka që sipas tij, nuk ka ndodhur në ribalancin e buxheteve të mëparshme. “Shkurtimi i këtyre mjeteve financiare arrin deri në 420 milionë denarë të cilat ishin të planifikuara për reklama, promovime, fushata qeveritare në vend dhe jashtë”, u shpreh ai.
Zaev theksoi se me këtë ribalanc të buxhetit dëshmohet se qeveria e re kujdeset për qytetarët e vet, për përmirësimin e jetesës së tyre, si dhe për mbështetjen ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
“Me ndryshimet dhe plotësimet e buxhetit për vitin 2017 janë siguruar mjete për subvencionimin e pagës minimale që e njëjta të arrijë në 12 mijë denarë, edhe atë duke filluar nga 1 shtatori. Me këtë masë parashikohet që të përfshihen rreth 70 mijë të punësuar bashkatdhetarë tanë”, deklaroi Zaev.
Zaev në vijim theksoi se shpenzimet joproduktive të buxhetit do të sigurojnë edhe mbështetje të turizmit vendas përmes subvencionimit të pushimit vjetor për të punësuarit me të ardhura të ulëta, kryesisht të punësuarit e industrisë së lëkurës dhe tekstilit. “Mbështetje e drejtpërdrejt e kapaciteteve turistike në Maqedoni dhe pushim vjetor për punëtorët me pagë më të ulët në vendin tonë”, u shpreh ai.