Bekim Laci
30 Dhjetor 2017•Përditësim: 31 Dhjetor 2017
SHKUP (AA) – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, ka uruar qytetarët e Maqedonisë me rastin e festës së Vitit të Ri, duke shprehur dëshirën që në vitin 2018, Maqedonia të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s, si dhe të marrë rekomandim për fillimin e negociatave për integrim në Bashkimin Evropian, sipas tij, si një shtet mik me të gjithë fqinjët, duke u bërë një shembull për Ballkanin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në video paraqitjen e tij Zaev uroi që viti i ardhshëm të jetë një vit i mbarë, me jetë cilësore për qytetarët e Maqedonisë, me paga më të larta, zero tolerancë për korrupsionin, ku "Maqedonia do jetë një shtet ku do të sundojë ligji me çka do të kthehet besimit tek institucionet."
Zaev thotë se vendi është në rrugën e duhur për të përfunduar vizionin e një shteti modern, ekonomikisht të avancuar dhe të respektuar. Ai kërkoi nga populli të bashkohet për këto synime.
"Shteti ligjor krijon siguri për secilin qytetar individualisht, dhe për shoqërinë në tërësi. Për qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme, është e nevojshëm respektimi i të drejtave të njeriut, drejtësia sociale, punë publike dhe e përgjegjshme, si dhe sigurimi i pjesëmarrjes së plotë të të gjithë qytetarëve në shoqëri”, thotë Zaev në urimin e tij të fundvitit, në të cilin foli edhe për punën që e pret qeverinë në vitin 2018.
"Pagat do të rriten nga shkaku se kemi një plan serioz dhe të saktë për rritjen ekonomike. Ky plan do të ofrojë vende të reja pune. Buxheti i paraparë për vitin 2018 do të sjellë stabilizimin financiar të vendit, rritjen dhe barazinë. Do të intensifikojmë përpjekjet për reforma të cilat do të mundësojnë institucione profesionale dhe të depolitizuara, shërbime të barabarta dhe cilësore për të gjithë qytetarët", thotë Zaev.
Ai nënvizon miqësinë me pesë shtetet fqinje të Maqedonisë, ndërkohë që pret anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. “Presim që Maqedonia të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s. Presim të marrim rekomandim të qartë për fillim të negociatave para anëtarësim në BE”, thekson Zaev.