Fatjon Cuka
17 Korrik 2023•Përditësim: 18 Korrik 2023
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me drejtues të ministrisë, të Policisë së Shqipërisë, prefekturave dhe institucioneve të tjera në lidhje me prioritetet e ministrisë që ai drejton, raporton Anadolu.
Në hapje të takimit, Balla theksoi në fjalën e tij se do të kujdeset posaçërisht për rritjen e standardit të jetesës të punonjësve të policisë dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, sipas tij, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja.
Ai tha se qytetarët janë jo vetëm arsyeja pse ekziston Policia, po janë edhe partnerë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, "që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike dhe asaj private".
"E kam vlerësuar gjithmonë si deputet deri dje dhe nuk kam si të mos e vlerësoj me respekt si ministër sot, përpjekjen kolosale të bërë deri më tani nga Policia e Shtetit kundër kultivimit të lëndëve narkotike, por po ashtu s’kam sesi të mos ju kërkoj sot që kjo luftë të vazhdojë edhe më fort, përderisa përsëri e përsëri, tek apo tuk, kanabisi rinxjerr kokën sapo policia e kthen kokën nga ana tjetër", tha Balla.
Ai theksoi se revolucioni digjital në Policinë e Shqipërisë do të duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë se deri tani dhe sipas tij Komisariati Digjital duhet të marrë një peshë dhe rëndësi të dorës së parë.
"Policimi në komunitet, bashkëpunimi me ekspertët policorë dhe me institucionet e komuniteteve vendore, bashki e drejtori qendrore, shkolla dhe komunitete fetare, duhet të ngrihet në një nivel krejtësisht të ri. Policia nuk qarkullon në lagje thjesht dhe vetëm për të vënë gjoba, apo për t’u dukur se është thjesht aty, por për të bashkëjetuar me njerëzit, mësuar prej tyre dhe mbështetur zgjidhjen e konflikteve të vogla që mund të kthehen në kusure të mëdha për të gjithë", tha Balla
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë radhëve të punonjësve, "por së pari brenda radhëve tona".
"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është krijuar me një ligj të punuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, në parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh shumë mirë dhe e kam mirë parasysh sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar këtë ligj", tha ndër të tjera Balla.
Balla, i cili mbante postin e kryetarit të grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, më 15 korrik zëvendësoi në këtë post ministrin e deritanishëm të Punëve të Brendshme, Bledar Çuçi.