Vesna Besic
13 prill 2022•Përditësim: 14 prill 2022
Në kuadër të operacionit "IRA", oficerët e policisë së Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) dhe Ministrisë së Brendshme të entitetit të Republikës Sërpska arrestuan 18 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
"Gjatë bastisjeve u zbuluan dhe u konfiskuan përkohësisht më shumë se 20 mijë marka konvertibile (KM), rreth 19 mijë euro, 5 mijë franga zvicerane, një sërë telefonash celularë, sisteme video-survejimi dhe dokumentacion që mund të shërbejnë si provë në procedurat e mëtejshme", njoftoi SIPA.
Oficerët e policisë së SIPA-s së bashku me oficerët e policisë së MPB-së të RS-së filluan sot bastisjet e ndërtesave të banimit si pjesë e operacionit operativ "IRA" në zonën e Bijelinës, distriktit Bërçko të Bosnjë e Hercegovinës, Zvornik, Sarajevë, Sarajevë Lindore, Banja Llukë dhe Pale në 28 lokacione.
Bastisjet po kryhen për shkak të ekzistimit të dyshimit për veprat penale "krim i organizuar", "trafikim i paautorizuar i narkotikëve", "trafikim i paautorizuar i armëve dhe pajisjeve ushtarake dhe i sendeve me përdorim të dyfishtë" dhe "pastrimi i parave" të parashikuara nga Kodi Penal i BeH-së.
Po ashtu bastisjet po kryhen edhe për shkak të ekzistimit të dyshimit për veprat penale “prodhimi dhe trafikimi i paautorizuar i narkotikëve”, “marrja e ryshfetit gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike”, “dhënia e ryshfetit gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike”, “zbulimi i sekretit zyrtar” dhe “lëndim trupor” të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës Sërpska.
Kontrollet zhvillohen me urdhër të Gjykatës së BeH-së dhe nën mbikëqyrjen e ushtruesit të detyrës të prokurorit të Prokurorisë së BeH-së me ndihmën e oficerëve të policisë nga Policia e Qarkut Bërçko të BeH-së dhe Ministria e Brendshme e Kantonit të Sarajevës.