Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se janë konfirmuar tre raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i vdekjeve në vend është rritur në 21, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjithashtu, ministria informon se janë regjistruar edhe 15 raste të reja pozitive me COVID-19, duke e çuar në 570 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Kryministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe mjeku Vlladimir Mikiç nga Instituti i Shëndetit Publik mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Kryeministri Spasovski tha se në këtë moment të gjithë e kanë të qartë se mënyra e jetesës ka ndryshuar dhe se bota po lufton kundër një "armiku të padukshëm", i cili çdo ditë merr jetë njerëzish.
Siç theksoi ai, sipas analizave të ekspertëve në 2-3 javët në vijim duhet të arrihet kulmi me rreth 2.000-2.500 të infektuar.
"Varet nga secili prej nesh se sa gjatë dhe me çfarë intensiteti do të luftojmë me koronavirusin. Duhet të jemi të sinqertë, ne si vend nuk e kemi kaluar më të keqen. Sipas ekspertëve, në 2-3 javët e ardhshme do të arrijmë kulmin e infeksioneve nga koronavirusi, i cili me siguri do të jetë midis 2.000 dhe 2.500 pacientëve me raste të konfirmuara", tha kryeministri Spasovski.
Kryeministri gjithashtu tha se qytetarët do të duhet t'i kalojnë në shtëpi festat e Pashkëve dhe Ramazanit.
"Këtë vit, besimtarët lutjet e tyre do t'i dërgojmë nga shtëpia. Porositë e Pashkëve për fitore ndaj vdekjes t'i dërgojmë nga shtëpia. E njëjta vlen edhe për porositë e Ramazanit. Nga shtëpia, përmes internetit, përmes telefonit, secili nga familja e tij, nga shtëpia e tij, e jo të tubuar nëpër farefisët", tha Spasovski.
Ministri Filipçe në fjalën e tij theksoi se në 24 orët e fundit në Klinikën e Sëmundjeve Infektive kanë humbur jetën tre persona nga koronavirusi.
"Në Klinikën e Sëmundjeve Infektive dhe Gjendjeve Ferbile kanë ndërruar jetë tre pacientë. Një pacient nga Koçani në moshën 40 vjeçare, i cili u hospitalizua më 29 mars, një pacient nga Tetova në moshën 69 vjeçare i cili më parë kishte pasur tumor në tru, si dhe një pacient tjetër gjithshtu nga Tetova, 65 vjeçar, pa sëmundje të tjera të njohura", tha Filipçe.
Ministri gjithashtu tha se në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 15 raste të reja, me çka numri i përgjithshëm i rasteve në Maqedoninë e Veriut është rritur në 570 persona.
Filipçe gjithashtu informoi se nga Klinika e Sëmundjeve Infektive në Shkup janë lëshuar katër pacientë, ndërsa janë pranuar 10 pacientë të rinj, duke shtuar se numri i përgjithshëm i pacientëve të hospitalizuar në këtë klinikë është 70.
Mjeku Vlladimir Mikiç nga Instituti i Shëndetit Publik tha se shkalla e vdekshmërisë e regjistruar në Maqedoninë e Veriut, rreth 4 për qind, është nga më të ultat në rajon.
Ndërkohë, sot qeveria ka marrë masa të reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, duke kufizuar lëvizjen e lirë brenda javës nga ora 16:00 deri në ora 05:00, ndërsa ditëve të fundjavës duke filluar nga e premtja në orën 16:00 deri të hënën në ora 05:00.