Gözde Bayar
27 Prill 2020•Përditësim: 27 Prill 2020
Regjimi sirian ka vazhduar të kryejë disa krime në mars dhe prill, në muajt kur regjistrohej përhapje e shpejtë e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
"Regjimi sirian ka vrarë 44 civilë, duke përfshirë 6 fëmijë në muajt mars dhe prill të vitit 2020, ndërsa forcat e regjimit arrestuan me dhunë 156 njerëz dhe kryen të paktën katër sulme ndaj objekteve jetike civile, përfshirë dy shkolla", thuhet në një raport të Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR).
Raporti rekomandon që Kombet e Bashkuara (OKB) të vendosin sanksione ndaj regjimit të Bashar al-Assad-it nëse vazhdon të kryejë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Duke pohuar se Rusia dhe Kina po ndihmojnë regjimin e Assad-it, raporti u bëri thirrje qeverive të Rusisë, Kinës, Kubës dhe Iranit të ofrojnë ndihmë mjekësore dhe humanitare në luftën kundër koronavirusit, në vend të mbështetjes aktuale ushtarake.
Në raport gjithashtu theksohet nevoja për të rritur mbështetjen materiale për grupet lokale që ofrojnë ndihmë në zonat jashtë kontrollit të regjimit të Assad-it në kohën e pandemisë.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve nga koronavirusi ka tejkaluar shifrën 3 milionë, me mbi 209 mijë të vrarë dhe rreth 885 mijë të shëruar.
Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve.
Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë janë zhvendosur.