Fatjon Cuka
16 Korrik 2019•Përditësim: 17 Korrik 2019
Në anijen ushtarake turke e cila mbërriti sot në Shqipëri është organizuar një pritje zyrtare me pjesëmarrjen e personaliteteve të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Në pritjen e organizuar në Durrës ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, atasheu ushtarak i Turqisë në Shqipëri, kolonel Şakir Cumhur Somer, ushtarakë shqiptarë dhe turq, dhe pjesëtarë të ekuipazhit.
Pjesë ceremonisë së pritjes ishte edhe Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke performuar për të pranishmit.

Anija TCG Bayraktar (L-402) ka mbërritur mëngjesin e 16 korrikut në Durrës, ndërsa do të qëndrojë në qytetin bregdetar deri më datë 18 korrik.
Anija gjatë ditës së nesërme pritet të vizitohet nga qytetarë dhe zyrtarë të ndryshëm të institucioneve qendrore dhe lokale, si nga përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të Bashkisë së Durrësit dhe Prefekturës së Durrësit.
Ekuipazhi i anijes TCG Bayraktar, e cila ka një gjatësi rreth 139 metra, është rreth 400 persona përfshirë edhe studentë të Akademisë Detare Turke nga disa vende, mes tyre edhe një shqiptar.
Një nga qëllimet e ardhjes së anijes përveç edhe rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, është që t'u jepet mundësia studentëve të përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre përmes vizitave në port në lidhje me lundrimin, manovrimin taktik dhe shuarjen e zjarreve.
Në vitet e fundit Portin e Durrësit e kanë vizituar disa nëndetëse dhe anije turke, në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ushtarak midis Turqisë dhe Shqipërisë.