Agim Sulaj
09 Qershor 2021•Përditësim: 09 Qershor 2021
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë në kuadër të Odës Ekonomike Kosovare (OEK), kanë pritur sot në Prishtinë një delegacion të lartë ekonomik nga Greqia për të shtrirë bashkëpunimin midis dy shteteve në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe tregtisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, pas takimit të delegacionit kosovar me atë grek në Zyrën e OEK-ut në Prishtinë, kreu i OEK-ut, Berat Rukiqi tha se bëhet fjalë për fillim të bashkëpunimit të kompanive greke dhe kosovare në fushën e energjisë, në fushën e derivateve të naftës, në fushën e tregtisë me pakicë dhe në shumë fusha tjera të rëndësishme për rritjen tregtare midis dy vendeve.
Ky bashkëpunim sipas Rukiqit do të hapë rrugë të reja tregtare midis të dy vendeve si dhe do të heqë shumë dilema edhe te investitorët e mundshëm nga ana e shtetit grek.
“Ne kemi një numër të kompanive tona që morën pjesë të cilat kryesisht janë prodhues dhe kryesisht janë të interesuar për eksport në Greqi. Kemi tani një kompani greke e cila ka mundësuar një eksport të konsiderueshëm të Kosovës drejt Greqisë dhe i cili ka ardhur të shohë edhe potenciale tjera të cilat u shfaqën sot. Dhe besoj që edhe tani deri sa po flasim një pjesë e mirë e kompanive tona i kanë vendosur kontaktet me këto kompani greke”, theksoi Rukiqi.
Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Greqisë, Constanitos Michalos tha se janë të interesuar të rrisin bashkëpunimin ekonomik kosovaro-grek në disa fusha të ekonomisë.
Ai madje theksoi se bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve duhet ta përdorin si presion për shtetet evropiane që ta njohin shtetin e Kosovës.
“Mesazhi që ne sot jemi këtu është që të ndërtojmë ura dhe të hapim dyer në mënyrë që komuniteti biznesor të bashkëpunojë dhe të jetë në një mjedis të globalizuar. Dhe, ky akt është një akt i fortë nga ne për botën politike, jo vetëm atë greke por mbarë-evropiane, me qëllim të presionit mbi pjesëmarrësit e ndryshëm për njohje të Kosovës”, theksoi Michalos.
Ai shtoi se do të monitorojnë në vazhdimësi rrjedhën e bashkëpunimit midis të dyja vendeve me shpresë që në të ardhmen të takohen përsëri.
Kjo vizitë vjen pas vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias në Kosovë i cili sipas Rukiqit “ka krijuar një momentum të ri të bashkëpunimit edhe ekonomik, sidomos me projektet që parashihen në një të ardhme të afërt në sektorin e energjisë”.
Më 4 qershor Kosovën e vizitoi ministri Jashtëm grek, Dendias, i cili deklaroi se Greqia dëshiron që me Kosovën të zgjerojë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare dhe kjo siç tha ai është arsyeja kryesore e vizitës së tij.
Në bisedën e tij me homologen kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Gërvalla tha se diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, rajonale dhe evropiane, me theks të veçantë marrëdhëniet e ndërsjella në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, në fushën e politikës, kulturës, të arsimit, shkencës, shëndetësisë e të tjera.