Agim Sulaj
10 Dhjetor 2020•Përditësim: 10 Dhjetor 2020
Me rastin e Ditës Botërore për të Drejtat e Njeriut, Grupi Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, që kryesohet nga kryeministri Avdullah Hoti, është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar rreth gjendjes së institucioneve kosovare në zbatimin e të drejtave të njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të drejtat e njeriut të jenë të prezantuara dhe përfaqësuara si pjesë e vlerave të shtetit kosovar, sipas tij, duke u bazuar në parimet elementare të demokracisë, të sundimit të ligjit dhe të barazisë. Hoti theksoi se në këtë aspekt, Kosova ka shënuar progres vitet e fundit.
“Ndihem mirë që Republika e Kosovës ka bërë progres gjatë këtyre viteve në sigurimin e të drejtave të plotësimit fillimisht të kuadrit të nevojshëm ligjor, duke miratuar një pako të plotë të ligjeve gjithëpërfshirëse që prekin të drejtat e njeriut, përfshirë Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, Ligjin për Avokatin e Popullit, Ligjin për barazi Gjinore dhe me këto besoj se është kompletuar gjithë kompleksiteti i kornizës ligjore në këtë fushë”, theksoi Hoti.
Hoti tha se aktualisht po përgatitet programi për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut 2021-2025, i cili sipas tij është dokument strategjik që parashihet të jetë katalizator në këtë fushë ku përcaktohen hapat konkrete që duhet të ndërmerren për të ndërtuar një strukturë koherente për promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se njëri nga instrumentet që e fuqizon dhe matë zbatimin e ligjit, nivelin e transparencës dhe nivelin e demokracisë në vend është zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Në këtë aspekt, Qelaj tha se vitet e fundit, përjashtuar vitin 2020, vërehet një rritje e zbatimit të rekomandimeve falë koordinimit dhe angazhimit të shtuar institucional.
“Nga gjithsej 178 rekomandime të cilat i ka nxjerrë avokati në vitin 2020, 18 për qind janë zbatuar, 7 për qind nuk janë zbatuar dhe 75 për qind janë në pritje të zbatimit. Kjo statistikë, besoj e pasqyron gjendjen reale dhe e dëshmon atë që u tha nga kryeministri, se Kosova ka avancim sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit”, theksoi Qelaj.
Drejtoresha e Qendrës për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se duhet të mbështeten më shumë grupet e margjinalizuara dhe duhet të flasin më hapur sa i përket avancimit të të drejtave të tyre.
Ajo tha se është vënë re një diskriminim tek komunitetet pakicë dhe joprezencë e tyre në administratë publike.
Grupi Ndërministror për të Drejtat e Njeriut është themeluar nga Qeveria e Kosovës më 20 shkurt të vitit 2017 me qëllim të koordinimit të procesit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, zhvillimin e politikave dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit të kësaj fushe.