Fatjon Cuka
12 Shkurt 2021•Përditësim: 13 Shkurt 2021
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, po zhvillon një vizitë njëditore në Shqipëri, ndërkohë ai është takuar me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, raporton Anadolu Agency(AA).
Në deklaratën e përbashkët pas takimit, Xhaçka dhe Szijjarto theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjes së Hungarisë për procesin e integrimit evropian.
Ministrja Xhaçka theksoi se Hungaria është një vend që ka ndihmuar shumë Shqipërinë, duke iu referuar ndihmave për tërmetin e nëntorit të vitit 2019 dhe pandeminë COVID-19.
"Me kolegun Szijjarto ndamë mendimin se marrëdhëniet ekonomike po ecin në një trend pozitiv, por që nuk janë aty ku duhet të jenë dhe në këtë kontekst u angazhuam për të mbështetur dhe nxitur shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik në terma sa më konkretë", u shpreh Xhaçka.
Ajo tha se me homologun hungarez kanë diskutuar edhe për çështjet e integrimit evropian dhe thekoi se Hungaria është një nga mbështetëset më të palëkundura të integrimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit.
"Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe presim që Bashkimi Evropian t’i qëndrojë fjalës për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare brenda presidencës portugeze", u shpreh ministrja Xhaçka.
Xhaçka theksoi se e vlerësojnë faktin që "Hungaria mike ndan me ne të njëjtën qasje ndaj integrimit të rajonit, duke e konsideruar atë një çështje sa merite aq edhe strategjike".
"Hungaria mbështet gjithë rrjedhën integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor"
Ministri Szijjarto deklaroi se Hungaria është e angazhuar plotësisht dhe mbështet gjithë rrjedhën e integrimit evropian për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
"Ne do të kërkojmë në drejtim të Evropës së bashkuar dhe për më tepër të atyre vendeve që nuk janë aq të ndjeshme në çështjet e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që të na ndihmojnë dhe mbështesin sa më shumë për të nisur sa më shpejt bisedimet (negociatat për anëtarësim në BE). Kjo ka një aspekt shumë të rëndësishëm nga pikëpamja e sigurisë. Për fat të keq vëmë re që edhe emigracioni ilegal ka filluar të krijojë presion përsëri në Ballkanin Perëndimor", tha Szijjarto.
Kryediplomati hungarez theksoi se është e nevojshme që të krijojnë bashkëpunim për frenimin e emigracionit ilegal.
Szijjarto u shpreh më tej se për Hungarinë ka rëndësi nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe sigurisë ekonomike që gjithë ngjarjet në Ballkanin Perëndimor të zhvillohen në mënyrë sa më pozitive.
Gjatë vizitës së kryediplomatit hungarez, mes dy vendeve do të nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e arsimit.