Ekip
28 Qershor 2020•Përditësim: 29 Qershor 2020
India regjistroi rritjen e saj më të madhe të rasteve ditore me koronavirusin e ri (COVID-19) në 24 orët e fundit, me 19.906 raste të reja të dielën, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bilanci i përgjithshëm i rasteve tani ka arritur në 528.859 në vend.
Numri i të vdekurve ka shkuar në 16.095, pasi 410 vdekje të tjera u raportuan në 24 orët e fundit.
Guwahati, kryeqyteti i shtetit verilindor Asami, do të vendoset nën masa të mbylljes së plotë për një periudhë prej 14 ditësh për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Për shtatë ditët e para nuk do të ketë furnizime me perime dhe sende të tjera thelbësore, tha qeveria e shtetit në një deklaratë.
Shteti perëndimor Maharashtra me 159.133 raste vazhdon të jetë me numrin më të lartë për sa u përket të prekurve nga koronavirusi në nivel vendi.
Delhi me 80.000 raste është qyteti më i prekur në vend. Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 2.558 në kryeqytetin indian.
Ndërkohë, qeveria indiane të shtunën lejoi përdorimin e Dexamethasone si një zgjedhje alternative për Methylprednisolone për menaxhimin e rasteve të moderuara deri te ato të rënda me COVID-19. Ndryshimi është bërë pas shqyrtimit të provave të fundit në dispozicion dhe konsultimit të ekspertëve, sipas një deklarate zyrtare të qeverisë.
India është vendi i katërt i më i goditur në botë nga pandemia, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Rusisë.