Dejan Maksimovic
06 Mars 2020•Përditësim: 06 Mars 2020
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, deklaroi se BE-ja do të marrë të gjitha masat në përputhje me ligjin e Unionit dhe atë ndërkombëtar për të respektuar plotësisht integritetin e kufijve të saj, raporton Anadolu Agency. (AA)
Ai theksoi se "u diskutua gjithashtu edhe për situatën tepër të ndërlikuar dhe të vështirë në Idlib".
"Atje me të vërtetë nevojitet një veprim urgjent për të zgjidhur krizën e rëndë humanitare", tha Borrell, duke shtuar se dje u tregoi ministrave imazhe satelitore të kufirit turk që tregojnë një "det" refugjatësh dhe tenda që përpiqen të gjejnë strehim në mes të dimrit.
"Ne ramë dakord për thirrjen e Konferencës së Brukselit për mbështetjen dhe të ardhmen e Sirisë më 29-30 qershor. Konferenca do të mbledhë pjesën më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare rreth tryezës për të mbështetur përpjekjet e OKB-së për të gjetur zgjidhje paqësore të krizës dhe do të jetë mundësi për të vendosur për ndihmën e mëtejshme humanitare për Sirinë dhe rajonin, për dialogun me shoqërinë civile siriane dhe me aktorët, të cilët nuk përfaqësojnë as regjimin dhe as opozitën", tha Borrell.
Ai theksoi se është i nevojshëm de-eskalimi i menjëhershëm i konfliktit në Idlib dhe se Rusia dhe Turqia duhet të sigurojnë menjëherë një armëpushim të qëndrueshëm si dhe të mbrojnë civilët nga toka dhe ajri dhe të lejojnë shpërndarjen e papengueshme të ndihmave humanitare.
"Në fillim të kësaj jave, njoftuam 60 milionë euro si mbështetje për refugjatët në veriperëndim të Sirisë. Pra, nuk është vetëm një mungesë e burimeve financiare, por aftësi logjistike për të zgjidhur situatën, që të ofrohen ushqim, ilaçe, tenda në vendet ku janë këta njerëz dhe ku është e vështirë të arrihet për shkak të situatës së luftës. Shpresojmë që ky armëpushim të sigurojë një mundësi për të ofruar ndihmë humanitare", shpjegoi Borrell.
Ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliç Radman tha se ishte i lumtur që patën një takim përmbajtësor.
"Ne diskutuam për situatën në Siri me theks të veçantë në zonën e Idlibit, e cila është shqetësuese dhe paraqet një rrezik për rajonin më të gjerë. Është e rëndësishme për BE-në që të sigurojë përfundimin e konfliktit dhe mbrojtjen e popullatës, për të cilën mësuam pas marrëveshjes midis Recep Tayyip Erdoğan dhe Vladimir Putin. Përmasat e krizës humanitare janë dramatike dhe duhet të sigurohet qasja për ndihmë humanitare", tha Radman.
Sipas tij, Rusia dhe Turqia dje arritën një marrëveshje armëpushimi, e cila gjithashtu është thelbësore si për situatën e refugjatëve dhe emigrantëve ashtu dhe për presionin e kufijve drejt BE-së.
"Shpresojmë se kjo do të sigurojë qasje për ndihmë humanitare. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur mbështetje të fortë për Greqinë, Bullgarinë dhe Qipron Jugore. Tani është e rëndësishme të mbështesim Greqinë, e cila është më e prekur nga situata aktuale. Për Kroacinë, e cila po përballet me presion të shtuar në kufirin me Bosnjë e Hercegovinën, është i rëndësishëm bashkëpunimi me vendet e Evropës Juglindore dhe ndihma në mënyrë që ata të përballen me presionin e migracionit dhe të gjitha sfidat që lidhen me të. Po ashtu është i rëndësishëm dialogu politik dhe angazhimi me Turqinë, e cila strehon 4 milionë refugjatë dhe migrantë", tha Radman.
Takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, ku ishte i pranishëm edhe Borrell, u mbajt sot në Zagreb në kuadër të kryesimit kroate me Këshillin e BE-së.