Ivana Ramadanova
01 Nëntor 2017•Përditësim: 01 Nëntor 2017
SHKUP (AA) – Në organizim të Misionit të OSBE-së dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në Shkup u mbajtë konferenca rajonale për zgjidhjen sistematike për personat pa dokumente nga komuniteti rom, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen e konferencës u adresua zv/ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Elmi Aziri, i cili ndër të tjera tha se e drejta e nënshtetësisë është e dejtë themelore e njeriut, që paraqet mundësinë e zgjidhjes së çdo çështjeje apo problemi që ka të bëjë me nënshtetësinë.
“Arsyeja për paarritshmërinë e romëve në dokumente është kryesisht për shkak të mungesës së informacionit se si për të arritur deri te ato, ndërsa nga ana tjetër është gjendja financiare e këtij komuniteti”, theksoi Aziri.
Sipas ministrit të Qeverisë së Maqedonisë të angazhuar për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Romët, Samka Ibraimovski, romët e paregjistruar dhe personat pa dokumente për shumë vite janë temë e bisedës dhe problem që ende nuk është zgjedhur.
“Dekada dhe Strategjia Kombëtare për Romët nuk ekziston për këta njerëz. Nuk janë në arsim, në shëndetësi, në punësim, praktikisht këta njerëz mbijetojnë sot për nesër. Ata jetojnë në kushte substandarde dhe nuk përdorin asnjë të drejtë as të shërbimit shtetëror”, tha Ibraimovski.
Ndërkaq, zv/shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Jeff Goldstein, theksoi se kjo konferencë rajonale është një mundësi ku do të ndahen praktikat rajonale për procesin e përfshirjes së të personave pa dokumente nga komuniteti rom.
“Unë mendoj se kjo ngjarje është një mundësi e madhe, ku mediat përmes një qasjeje të veçantë mund të ndikojnë në ndërgjegjësimin ndaj zgjidhjes sistematike të personave pa dokumente nga komuniteti rom”, u shpreh Goldstein.
Sipas të dhënave të fundit nga ana e aktivistëve, numri i paregjistruar i romëve dhe i atyre pa dokumente aktualisht është rreth 1.500, por besohet se kjo shifër është shumë më e lartë.