Agim Sulaj
11 Mars 2020•Përditësim: 12 Mars 2020
Pas një mbledhjeje urgjente të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim për caktimin e masave parandaluese për koronavirusin e ri COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kanë mbajtur disa mbledhje pas raportimit për përhapjen e koronavirusit në vendet fqinje.
Ministri Vitia tha se në Kosovë, ende nuk ka asnjë të infektuar me COVID-19, por “pavarësisht kësaj, sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka shpallur situatë pandemike”, gjë që ka shtyrë autoritetin shëndetësor në Kosovë të reagojë.
“Duke pasur parasysh edhe situatën epidemiologjike edhe në botë dhe në vendet fqinje, Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale në mbledhjen e jashtëzakonshme sot në orën 16:00 ka vendosur që të merren masa paraprake me qëllim të evitimit të shfaqjes paraprake të sëmundjes COVID-19”, theksoi Vitia.
Ndër masat e marra në këtë mbledhje është pezullimi i procesit edukativo-arsimor në institucionet publike dhe private në të gjitha nivelet deri më datën 27 mars 2020, ndërsa “me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna, kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë”.
Gjithashtu është bërë pezullimi i përkohshëm i linjave të transportit ajror dhe tokësor me vendet me rrezikshmëri të lartë dhe të mesëm deri në një vendim tjetër; kontroll i obliguar i udhëtarëve dhe gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat e rrezikshme; karantinë e detyruar e qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, ndërsa moszbatimi i këtyre rregullave do të jetë i dënueshëm sipas ligjit të Kosovës për sëmundjet ngjitëse.
Po ashtu, sa u përket aktiviteteve publike dhe jopublike, ato tani do të zhvillohen të mbyllura, pa praninë e publikut, përfshirë tubimet sportive, koncertet, konferencat dhe tryezat e rrumbullakëta.
Masat parandaluese përfshijnë edhe ndalimin e veprimtarive të restoranteve, klubeve të natës dhe pishinave pas orës 23:00, ndërsa po ashtu është ndaluar edhe “eksporti i pajisjeve dhe medikamenteve nga ana e operatorëve ekonomikë dhe prodhuesve përveç me vendim të Qeverisë”.
Në këtë mbledhje u kërkua gjithashtu që Qeveria e Kosovës nëpërmjet agjencive të jetë më vigjilente me bizneset të cilat keqpërdorin situatën e virusit, duke rritur çmimet e produkteve.
Varësisht nga situata, kryeministri Kurti tha se vendimi i votuar me këto propozime mund të plotësohet dhe ndryshohet në kohë reale.
Në Kosovë, deri më tash nga dhjetëra pacientë të kontrolluar në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), nuk ka rezultuar asnjë pozitiv me virusin vdekjeprurës COVID-19.
Dje, Qeveria e Kosovës miratoi një “Plan për gatishmëri dhe reagim kundër koronavirusit” me kosto prej 10 milionë eurove.