Agim Sulaj
28 Mars 2021•Përditësim: 29 Mars 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se 10 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus në 1.840, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), edhe 914 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive për këtë vit brenda 24 orëve, derisa numri i tyre ka shkuar në gjithsej 87.981 raste.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 4.733 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar gjithsej 414.902 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 602 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 72.415 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.726.